Numri i njerëzve që migruan në Britaninë e Madhe arriti një rekord të lartë vitin e kaluar.

Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS), midis qershorit 2021 dhe qershorit 2022, 504,000 njerëz më shumë mbërritën në MB sesa u larguan nga vendi, duke thyer rekordin prej 390,000 në 2015.

Në periudhën e përmendur, gjithsej 1.1 milionë njerëz kanë emigruar në Britaninë e Madhe, transmeton Anadolia.

Jay Lindop, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Migracionit në ONS, tha se rritja e numrit të emigrantëve ishte për shkak të numrit të madh të njerëzve që vinin nga Afganistani, Hong Kongu dhe Ukraina, të cilëve iu dha e drejta për të jetuar në vend.

Rritja e numrit të emigrantëve në vend

Lindop tha se në rritjen e numrit të emigrantëve në vend kanë ndikuar faktorë të tillë si rritja e ardhjes së studentëve ndërkombëtarë që më parë studionin në distancë gjatë pandemisë së koronavirusit, si dhe migrimi i njerëzve për arsye familjare.

Qeveria britanike ka premtuar të zvogëlojë hendekun midis numrit të njerëzve që vijnë dhe atyre që largohen nga vendi.

Popullsia e përgjithshme e Britanisë së Madhe është rreth 67.5 milion.

Kujtojmë se kohët e fundit, në qendër të një debati është emigrimi i të rinjve shqiptarë në Angli, duke kaluar La Manche-in me gomone. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re