Shpesh herë del në prag të shtëpisë dhe mendon se çfarë do të bëjë sot. Çfarë do t’u gatuajë fëmijëve… po nesër? Po pasnesër a do të ketë ushqim?

Kjo nënë ka tre fëmijë të mitur dhe jeton në këtë shtëpi të rrënuar nga tërmeti. E vetmja gjë që e mban në këmbë, është kur dëgjon zërin e fëmijëve.

“Vetëm të sistemoja fëmijët, se nuk dua gjë tjetër në jetë. Të shikosh kur tre fëmijët të vuajnë, nuk ka gjë më të keqe.”-thotë për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” Zarja.

Kjo grua jeton në Lushnje dhe që prej tre vitesh, i duhet të përballet dhe me braktisjen e të shoqit.

“Pasi ai na braktisi, më ka lënduar plotësisht. Edhe në rrugë kam ndenjur… nuk kisha ku të shkoja, s’kisha rrugë tjetër. Derisa arrita të marr këtë shtëpi dhe u sistemuam disi.”-tregon Zarja.

Por edhe shtëpia që morën me qira u shkatërrua thuajse plotësisht nga tërmeti. Muret janë çarë, ndërsa mundësitë për të mbajtur fëmijët me ushqim janë dita ditës edhe më të pakta. Zarja vuan edhe nga problemet me shikimin dhe e ka të pamundur të gjejë një punë për të mbajtur në këmbë familjen.

“Kur ra tërmeti pastaj, tavani ra i tëri. Komplet u shemb. Muret u hapën më keq. Nuk kisha ku shkoja më. Jeta është shumë e vështirë… shumë lekë borxh kam marrë që të mos u mungojë buka fëmijëve, se gjë tjetër s’dua. Shumë herë kam mbetur pa ngrënë. Nuk arrij dot të punoj, syzet i kam minus 17 e unë mezi eci në rrugë, e jo më të punoj. Prandaj kam mbetur në këtë gjendje.”-thotë Zarja.

Veçse vështirësive ekonomike, kësaj nëne i është dashur të përballet edhe me më shumë sprova.

“Kur më tha vajza se e kishin sharë në shkollë… u detyrova të shkoj në shkollë dhe i kërkova që të mos tallen me vajzën, nuk kam çfarë të bëj më shumë.

Ndihem e thyer, më keq nuk ka ku të shkojë. Vajza e madhe më thotë shpesh kur do të shohim ditë të bardha… nuk kam çfarë t’i them.”- shprehet Zarja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re