Çantat e shkollës apo qëndrimi ulur për një kohë të gjatë dhe jo me shpinën drejt, ndikon në deformimin e shtyllës kurrizore te fëmijët, siç njihet, skolioza. Për ta diagnositifikuar në kohë e për të frenuar pasojat e rënda, Ministria e Shëndetësisë është duke përgatitur një program kombëtar me fokus tek depistimi i skoliozës tek fëmijët e moshës 6-10 vjeç:
“Programi i depistimit të skoliozës në shkolla është një element kyç për shëndetin e fëmijëve tanë. Ky program është një vlerë e shtuar për fëmijët tanë, duke i ndihmuar ata të ndërtojnë një jetë të shëndetshme”, shkruan ministrja e Shëndetësisë Koçiu.
Por pse është e rëndësishme të zbatohet me seriozitet dhe rigoriozitet kjo problematikë?!
Skolioza përfaqëson të shtrembëruarit anësor të boshtit të kurrizit. Kjo sëmundje, edhe pse shumë e konsiderojnë si e moshave të mëdha, në të vërtetë shfaqet që në moshat 3-10-vjeçare. Ndaj është e rëndësishme që fëmijët të kontrollohen që në moshën shkollore.
Shqetësimi mbi pamjen kozmetike të shpinës shpesh është shqetësimi kryesor i pacientit dhe prindërit. Pra, është një sëmundje e ngadaltë dhe progresive, përgjithësisht asimptomatike. Shpesh janë prindërit ose pediatrit të parët që vënë re që diçka ka ndryshuar në qëndrimin e fëmijës.
Për gazetën “Shëndet+”, Ledian Fezollari, kirurg-ortoped shpjegon gjithçka që lidhet me këtë sëmundje.
Doktor, çfarë duhet të kuptojmë me skoliozë?
Skoliozë quhet deformimi që vjen si rrjedhojë e një kurbimi anësor të një segmenti të shtyllës kurrizore ndaj boshtit gjatësor të saj, gjë që e bë atë të duket në formën “S”-je ose “C”-je që normalisht duhet të jetë e drejtë e të ketë formën e “I”-je. Skolioza mund t’i shkaktojë vertebrave (unazave) rrotullim gjë që shkakton që njëra shpatull apo kërdhokull (këllq) të jetë më lart se tjetra.
Pra, skolioza përfaqëson të shtrembëruarit anësor dhe rrotullues të shtyllës kurrizore. Kemi të bëjmë me një dëmtim 3-dimensional. Nganjëherë rrotullimi përcakton edhe një deformim të kafazit të kraharorit dhe të organeve që përmbahen në të (zemra, mushkëritë dhe diafragma).
Cili është klasifikimi që i bëhet skoliozës?
Skolioza mund të ndodhë në çdo moshë.
Klasifikimi sipas moshës:
Skolioza adoleshente idiopatike, ndodh pas moshës 10 vjeç. Ajo është lloji më i zakonshëm.
Skolioza juvenile, ndodh në fëmijët midis moshës 3 dhe 10 vjeç. Kjo nuk është e zakonshme
Skolioza infantile (fëminore) ndodh në fëmijët më të vegjël se 3 vjeç . Kjo mund të rezultojë nga anomali të lindura të vertebrave, sindrome të ndryshme, çrregullime neurologjike ose për arsye të panjohura (idiopatike).
Klasifikimi sipas shkakut:
80% e tyre janë me origjinë idiopatike (pa një shkak të njohur).
Skolioza kongenitale, që e marrin origjinën nga defekte të organo-gjenezës gjatë periudhës embrionale.
Skolioza neuromuskulare (nga poliomieliti, osteodistrofia etj.).
Frekuenca e skoliozës
Skolioza është rreth 7 herë më e shpeshtë tek femrat se tek meshkujt dhe shfaqet më së shumti në moshat nga 3 – 10 vjeç.
5% e popullsisë botërore është e prekur, prej të cilëve 81% nuk dihen shkaqet, 15% e lindur dhe rreth 10% nervore-muskulare.
Kurba e skoliozës e matur të paktën 10° ndodh në 1.5% në 3.0% të popullsisë
Kurba që tejkalon 20° ndodh në 0.3% në 0.5% të popullsisë
Kurba që tejkalon 30° ndodh në 0.2% në 0.3% të popullsisë
Kurba të vogla kurrizore ndodhin me frekuencë të ngjashme në djem dhe vajza, por vajzat janë kanë më shumë të ngjarë që të kenë një kurbë progresive të madhe skoliotike që do të kërkojë trajtim.
Cilat janë simptomat që tregojnë për skoliozë?
Skolioza zakonisht nuk shkakton asnjë dhimbje, mosfunksionim neurologjik ose probleme të frymëmarrjes. Shqetësimi mbi pamjen kozmetike të shpinës shpesh është shqetësimi kryesor i pacientit dhe prindërve. Pra, është një sëmundje e ngadaltë dhe progresive, përgjithësisht asimptomatike. Shpesh janë prindërit ose pediatri të parët që vënë re që diçka ka ndryshuar në qëndrimin e fëmijës. Në raste të rralla mund të shfaqen shqetësime në kolonën vertebrale apo lodhje muskulare pas sforcimit fizik. Përgjithësisht fëmija është i qetë, fle mirë dhe vazhdon të kryejë normalisht veprimtaritë e tij të përditshme.
Botuar më 30 shtator, 2014