Nxënësit në fshatin Mali Kolaj e kanë nisur vitin e ri shkollor duke zhvilluar mësim në oborrin e shkollës. Prej 3 ditësh ata janë të detyruar t’i marrin dijet në kushte të vështira, pasi bashkia Shkodër dhe pronari i godinës ku ndër vite është zhvilluar mësim, nuk kanë gjetur një marrëveshje për shfrytëzimin e kësaj hapësire. Zyra e arsimit iu ka ofruar si zgjidhje shkollën ne qendër të Velipojës, por për prindërit distanca është shumë e largët.
ILIR NIKA, PRIND
Është e vështirë për ne , nuk mund t’ia dalim, nuk mund të ecë fëmija 5 km në këmbë.
MARASH SHYTI, PRIND
Na ra si e papritur, unë e vuaj dhe më shumë se jam më larg nga të gjithë.
VAT PELLUMBI, BANOR I FSHATIT MAL KOLAJ
Ne kërkojmë që shkolla të mos lëvizë nga vendi.
ZEF VUSHAJ, BANOR I FSHATIT MAL KOLAJ
Arsimi është baza, po u mbyll nuk ka të ardhme.
Furgoni nuk vjen në qendër të fshatit për të marrë fëmijët dhe këta të fundit nuk pranojnë të ecin 5 km në këmbë për të shkuar deri tek stacioni. Përballë kësaj situate të krijuar zgjidhjen është munduar ta gjejë në mënyrë provizore mësuesja Vera Dedi, që po zhvillon mësim në qiell të hapur.
VERA DEDI
MESUESE
Është shumë e vështirë por unë bëj gjithccka për nxënësit e mi sepse i kam shumë të mirë. Unë do të vazhdoj t’i mbështes sepse kjo situatë nuk është normale. Se po të jetë për tu mbyllur, kjo shkollë është e fundit që duhet me u mbyll në Shqipëri, sepse është një zonë shumë e thellë dhe këta fëmijë kanë nevojë për mbështetje.
Edhe vetë nxënësit duan rihapjen e shkollës së fshatit.
Fëmijët
Duam të hapet shkolla. Kështu është shumë e vështirë sepse nuk kemi as banka.
Në fshatin Mali Kolaj vetëm 20 kilometra larg nga Shkodra janë 16 nxënës, të cilët me mbylljen e shkollës fillore, mësimin po e zhvillojnë në oborr.