Skip to content

Nxirrnin pllaka dekorative nga Mali i Tomorrit, policia arreston 2 persona dhe shpall në kërkim një të tretë

Policia njoftoi të martën arrestimin e 2 personave dhe shpalljen në kërkim të një të treti, pasi në mënyrë të jashtëligjshme nxirrnin pllaka dekorative në malin e Tomorit në Berat.

Tre personat në fjalë, 2 administratorë sipërmarrjesh me licenca të revokuara S.Q 61 vjeç dhe D.L 26 vjeç dhe punonjësi S.K 40 vjeç u vunë nën hetim pasi në rrugën “Qafa e Sqepurit” punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura konstatuan 2 kamionë, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorativë të cilat dyshohet se janë nxjerrë në Malin e Tomorit.

Policia ka mundur të arrestojë 26-vjeçarin D.L dhe 40-vjeçarin S.K, ndërsa ka shpallur në kërkim 61-vjeçarin S.Q.

Ata dyshohet se gurët dekorativë i kanë nxjerrë dhe tregtuar në mënyrë të paligjshme duke pasur aktivitetin e sipërmarrjeve me status të pezulluar.

Të tre do të përballen me akuzat e “dëmtimit të zonave të mbrojtura”, “fshehje e të ardhurave” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Dy vitet e fundit autoritetet kanë pasur angazhim të theksuar për të ndaluar aktivitetin e guroreve dhe nxjerrjes së gurëve dekorativë në zonat e Malit të Tomorit, për këtë Ministria e Mjedisit pati propozuar edhe zgjerimin e parkut kombëtar.

Shpesh ky angazhim ka hasur në përplasje me kompanitë e licencuara të guroreve, të cilat janë penguar të ushtrojnë aktivitet, ndërkohë që dhjetëra të tjerave u janë hequr licencat.