Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për pezullimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e shtetit, Artan Shkëmbi, i cili njëkohësisht drejtonte edhe operacionin “Forca e Ligjit”.

I pranishëm në seancën gjyqësore ishte dhe vetë Shkëmbi.

SPAK po e heton për “shpërdorim detyre” për shkak të nxjerrjes së një sekreti hetimor
Të dhënat flasin për një hetim që po kryhet edhe në Gjermani.

E megjithatë, jo pak persona, edhe brenda Policisë së Shtetit, e kanë parë me dyshim mundësinë reale të nxjerrjes së një sekreti nga Shkëmbi, duke qenë se ai vetë ka shërbyer për 6 vjet me radhë si oficer kontakti në shtetin gjerman dhe ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të autoriteteve ligjzbatuese atje.

Nga ana tjetër, Artan Shkëmbi, i cili kaloi me sukses tri kriteret e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë më 28 shkurt nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, rezulton i pajisur me certifikatë sigurie CSP, “Tepër Sekret”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka komanduar në vend të tij oficerin e lartë të Policisë, Hekuran Bregu, i cili ishte një ndër 19 oficerët që morën “Medalje Nderi” nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në janar të këtij viti, për kontributin e dhënë në ditët pas tërmetit.

ARTAN SHKËMBI

Artan Shkëmbi, i cili mbante edhe detyrën e numrit 2 të Operacionit Forca e Ligjit, dyshohet se ka dekonspiruar një informacion të kërkuar nga një agjenci ligjzbatuese e huaj për një hetim pasuror që po kryhej në ngarkim të një shtetasi me precedentë penalë. Shkëmbi në të kaluarën ka mbajtur edhe detyrën e kreut të TaskForcës së krijuar kundër krimit, në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Në vendimin e zbardhur të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, që konfirmon në detyrë Artan Shkëmbin, në konkluzionet për “Kontrollin e Figurës”, theksohet se: Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me shkresën nr. *** prot, datë 10.07.2019, konfirmon se shtetasi Artan Pajo Shkëmbi është i pajisur me certifikatë sigurie CSP, niveli “Tepër Sekret”, me vlefshmëri nga 25.09.2018 deri 24.09.2023;

Institucioni ligjzbatues me shkresën nr. **** prot, datë 5.8.2019, e klasifikuar sekret, informon Komisionin, se pas verifikimeve të kryera për Artan Pajo Shkëmbi dhe lidhjes së tij familjare të përmendura në shkresë, nuk disponon të dhëna; Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me shkresën nr.**** prot, datë 11.7.2019, niveli i klasifikimit “Sekret”, informon Komisionin se pas verifikimeve të kryera rezulton se për shtetasin Artan Shkëmbi, dhe personave sipas lidhjes familjare, nuk janë të regjistruar për veprimtari kriminale.

Agjencia ligjzbatuese, me shkresën nr. ***prot, datë 9.7.2019, niveli i klasifikimit “Konfidencial”, nga verifikimet e kryera nga strukturat përkatëse, informon KJV-në, se:

Për shtetasit Artan Pajo Shkëmbi dhe personat e lidhur familjarë nuk disponohen të dhëna/materiale referuese/procedime penale në ngarkim të tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re