Një informacion nga diplomati i lartë australian ka mundur të shkaktoj hetim të agjencisë FBI për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, ka raportuar e përditshmja, New York Times.
Sipas raportit të kësaj gazete të publikuar dje, George Papadopoulos, këshilltar i fushatës së Donald Trumpit, i ka thënë diplomatit australian, Alexander Downer, gjatë një takimi në Londër, në maj të vitit 2016, se Rusia i kishte mijëra imejla të cilët do ta dëmtonin kandidaten demokrate presidenciale, Hillary Clinton.
Pasi imeljat e Partisë Demokratike ishin sulmuar nga hakerët dhe kishin rrjedhur në opinion, Australia ia kaloi informacionin agjencisë FBI, theksohet në raport.
“Hakerizmi dhe zbulimi se një anëtar i fushatës Trump ka mundur të ketë brenda informacion për këtë, ishte faktor lëvizës që e ka çuar agjencinë FBI të hapë hetime në korrrik të vitit 2016”, shkruan New York Times, duke i cituar si burime katër zyrtarë aktualë dhe të dikurshëm të jashtëm të Shteteve të Bashkuara, që kishin njohuri direkte për situatën.
Ish-shefi i FBI-së, Robert Mueller, ishte emëruar këshilltar special për udhëheqjen e hetimit të Departamentit amerikan të drejtësisë, për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 dhe nëse kishte pasur ndonjë lidhje eventuale të Rusisë me fushatën Trump.
Në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.
George Papadopoulos ka pranuar se e ka gënjyer agjencinë FBI dhe aktualisht bashkëpunon me autoritetet.
Ty Cobb, avokat i Shtëpisë së Bardhë, ka refuzuar të komentoj lidhur me raportin e së përditshmes, New York Times, duke thënë vetëm se administrata e Shteteve të Bashkuara është duke bshkëpunuar me hetimin e zotit Mueller.s.n

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re