Skip to content

“O gazetar do të ekzekutojmë!”/ Osman Stafa zbardh prapaskenat e kërcënimit: Autori është i identifikueshëm! Mesazhi erdhi pasi publikova…

rtuytyutyu

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, gazetari Osman Stafa ka zbardhur prapaskenat e kërcënimit të rëndë me vdekje që ka marrë së fundmi, duke denoncuar përshkallëzimin e arbitraritetit policor dhe përpjekjet për të censuruar denoncimet e dhunës shtetërore.

Stafa bëri me dije se mesazhi kërcënues erdhi menjëherë pasi ai dokumentoi me pamje filmike momentin kur punonjës policie me rroba civile ndaluan në mënyrë të paligjshme një qytetar në rrugë që kishte me vete vetëm një qese me vezë.

Gjatë bisedës në studio, gazetari citoi fjalët e drejtpërdrejtë të kërcënuesit, i cili i është drejtuar me tone ekzekutimi për shkak të detyrës së tij publike. Stafa deklaroi: “Personi qartazi më drejtoi si gazetar, e dinte që unë isha gazetar. Më shkroi: ‘O gazetar do të ekzekutojmë, ku të jesh do ta garantoj’. Personi është i identifikueshëm dhe tani unë pres nga Policia e Shtetit që të marrë të gjitha masat dhe ta çojë përpara përgjegjësisë këdo që lëshon kërcënime që kanë të bëjnë me jetën e njeriut.”

Stafa ngriti pikëpyetje të mëdha mbi metodat e përdorura nga forcat e rendit, duke demaskuar sjelljen e punonjësve civilë që veprojnë pa uniformë dhe pa asnjë bazë ligjore ndaj qytetarëve të zakonshëm. “Aty nuk ishte as te Parlamenti dhe as në ndonjë tubim me njerëz. Qytetari ishte duke ecur në rrugë me një qese me vezë në dorë që mund t’i kishte blerë për shtëpi. Si e verifikon civili i policisë që këtë vezë ai e ka për të goditur deputetin? Veza nuk është armë e ftohtë dhe ligji nuk parashikon që nëse gjen njerëz me vezë në rrugë mund t’i ndalosh apo arrestosh. Kjo situata e civilëve duhet parë, sepse ti si qytetar nuk e di me kë ke të bësh kur të kapin e të shtrijnë në tokë”, nënvizoi ai.

Më tej, gazetari theksoi se misioni i medias mbetet mbrojtja e interesit publik dhe denoncimi i abuzimeve, veçanërisht në një ambient ku institucionet shtetërore kanë dështuar. Ai solli në vëmendje se Kodi Penal është ashpërsuar posaçërisht për mbrojtjen e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa rikonfirmoi se asnjë shantazh apo kërcënim nuk do të mund ta ndalë dokumentimin e të vërtetës përballë tejkalimit të kompetencave nga ana e pushtetit.