Skip to content

O sa mirë (mos) me qenë shqiptar

Shkruan: Edi Vlusha

Ka një moment të çuditshëm që na ndodh shpesh: në stadium bërtasim me gjithë shpirt, valëvisim flamurin, këndojmë himnin me zë të lartë dhe ndjejmë një krenari që na mbush kraharorin. Aty, për 90 minuta, jemi më shqiptarë se kurrë. Por sapo dalim nga stadiumi… realiteti na pret si një dush i ftohtë.

Sepse jashtë stadiumit, kjo krenari nuk vlen pothuajse asgjë.

Unë sot po kurohem në Gjermani. Jo sepse doja të largohesha. Jo sepse nuk e dua vendin tim. Por sepse kur vjen puna tek jeta, tek shëndeti, tek dinjiteti, tek siguria Shqipëria nuk të jep zgjidhje. Të jep lodhje. Të jep korrupsion. Të jep ndjenjën që je vetëm.

Dhe në një moment, kur sistemi duhet të të mbajë, kupton që je duke rënë… dhe nuk ka kush të të kapë.

Familjarëve të me iu desh të kërkojnë ndihmë përmes GoFundMe.

Një hap që askush nuk do ta bënte me dëshirë. Një ndjesi e rëndë, kur e kupton që për të luftuar për jetën tënde, duhet të hapesh para botës dhe të kërkosh ndihmë.

Ironikisht, aty ndodhi diçka tjetër.

Shok, miq, njerëz të njohur dhe të panjohur u treguan më të shpejtë, më të gatshëm dhe më njerëzorë se vetë sistemi që duhej të ishte aty për mua. Ata dhanë pa pyetur shumë. Ndihmuan pa interes. Treguan atë solidaritet që shpesh themi se na karakterizon.

Por le ta themi troç: kjo nuk duhet të jetë normale.

Sepse kur ke punuar, ke paguar sigurime për rreth 20 vite, ke bërë pjesën tënde si qytetar… nuk duhet të vijë dita që për shëndetin tënd të mbështetesh tek mëshira dhe bujaria e njerëzve.

Sistemi duhet të jetë aty.

Jo të mungojë.

Dhe kjo është ironia më e madhe: jemi një popull që di të bëjë shumë zhurmë për krenarinë, por shumë pak për realitetin.

Çfarë krenarie është kjo, kur, për një shërbim normal duhet “ta rregullosh” me dikë?

Çfarë krenarie është kjo, kur, rrugët bllokohen nga egoja, jo nga nevoja?

Çfarë krenarie është kjo, kur, mbeturinat hidhen sikur toka nuk është e jona?

Çfarë krenarie është kjo, kur, uji mungon në 2026, si të ishte luks, jo e drejtë dhe nevojë bazë?

Çfarë krenarie është kjo, kur sjellja jonë e përditshme e rrëzon çdo flamur që ngremë?

Në stadium, të gjithë jemi një. Jashtë, secili për vete.

Në stadium, respektojmë rregullin e lojës. Jashtë, rregullat janë për t’u thyer.

Në stadium, duam të fitojmë si komb. Jashtë, mundohemi të fitojmë mbi njëri-tjetrin.

Dhe pastaj çuditemi pse njerëzit largohen. Pse ikin për një jetë më të thjeshtë, më normale, më të drejtë.

Pse unë sot po kurohem në një vend tjetër, ku sistemi funksionon, ku nuk të shohin si mundësi për përfitim, por si njeri që ka nevojë për ndihmë.

Kjo nuk është një histori për të sharë Shqipërinë.

Është një histori për të qenë të sinqertë me veten. Sepse problemi nuk është që nuk kemi arsye për të qenë krenarë. Problemi është që kemi zgjedhur momentet e gabuara për të qenë krenarë.

Krenaria nuk është zhurmë. Nuk është flamur në stadium. Nuk është postim në rrjete sociale.

Krenaria është mënyra si sillesh çdo ditë. Si respekton tjetrin. Si kujdesesh për vendin tënd.

Si ndërton një sistem që nuk të detyron të ikësh për të jetuar… apo për t’u shëruar.

Deri atëherë, mbetet vetëm ironia:

O sa mirë me qenë shqiptar… në stadium.

Sepse jashtë tij, ndonjëherë, të vjen turp ta thuash.