Opozita do të protestojë sot para selisë së Kuvendit dhe godinës së SPAK-ut kundër arrestimit të liderit demokrat, Sali Berisha.

Teksa Kuvendi do të votojë për kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, opozita me sloganin “O sot, o kurrë” do të protestojë sërish kundër asaj që ajo e konsideron uzurpim të pushtetit të Parlamentit.

Protesta do të jetë edhe kundër amnistisë, që sipas saj, organet e reja të drejtësisë u kanë bërë pushtetarëve aktualë për çështjen e inceneratorëve. Kreu i demokratëve, Sali Berisha, paralajmëroi se protesta nuk do të jetë vetëm brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, por edhe para Prokurorisë së Posaçme.

“Cilido të jetë çmimi, ne do sjellim para jush çdo dokument të çdo vjedhjeje, nga cilido që e bën atë, por këto nuk mjaftojnë. Duhet zgjidhja dhe zgjidhja nga vrasësit e ligjit dhe të drejtës në institucionin e akuzës nuk vjen kurrë. Zgjidhja vjen nga protesta juaj, të dashur qytetarë, para këtij institucioni që funksionon në mënyrë absolute njëlloj si dikur hetuesit e sigurimit të shtetit”, theksoi lideri demokrat.

I bindur se opozita ka bërë gjithçka duhet për të denoncuar me fakte çdo shkelje në hetimin e dosjes së inceneratorit të Tiranës, ai thotë se tashmë është radha e qytetarëve.

“U përket juve dhe vetëm juve të thoni fjalën tuaj. Këta nuk janë prokurorë, këta janë persekutorët tuaj”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së është i ndërgjegjshëm se për shkak të kompleksitetit të rrethanave, vetëm një pjesë e atyre që duan të protestojnë do të marrin pjesë në këtë protestë, por për e rëndësishme është që reagimi qytetar të mos ndalet.

“Për ne e rëndësishme është që nisëm tani protestat për të mos i ndaluar më gjer ditën e fitores mbi narkoregjimin e Edi Ramës. Kjo ka rëndësi”, tha Berisha. Ai bëri me dije se protestës se do t’i prijë vetë si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë tij.

“Ku do jem unë atë ditë? Kudo do të jem unë. Pantotenik. Në sallë, jashtë salle, te qytetarët dhe kudo. Në betejë, betejë pa kthim… Unë do e drejtoj me vendosmëri drejt fitores këtë opozitë”.

Ai u mor gjatë edhe me prokurorët dhe gjyqtarët e dosjes së privatizimit të klubit “Partizani” dhe asaj për inceneratorin e Tiranës.

“Ose ata kanë marrë reston 1 ose 2 milionë euro për të bërë këtë krim të shëmtuar, për të hequr emrin e Erion Veliajt nga 110 faqe akuzë, ose ata si pjesë e organizatës kriminale me Edi Ramën, zbatojnë urdhrat e verbra të tij”, deklaroi z.Berisha.

Ai nuk përjashtoi mundësinë që nëse ndaj tij caktohet masa e arrestit, ta zbatojë vendimin e gjykatës në ambientet e selisë blu. I pyetur nga gazetarët nëse është në opsionet e tij që ta kryejë masës së sigurisë “arrest shtëpie” në selinë e PD-së, ai nuk e përjashtoi si mundësi, duke u shprehur se do e konsultojë me avokatin.

“Konsultë me avokatët. Futeni në folderin konsultë me avokatin”, u shpreh Sali Berisha, ndërsa në konferencë shpërthyen të qeshurat. Ndërkohë u shpreh se ende nuk është konsultuar me avokatët nëse do ta respektojë vendimin e SPAK për caktimin e masës së sigurisë së arrestit ndaj tij, nëse Kuvendi voton për t’i hequr imunitetin.

“Nesër Shqipëria, ose me këtë, renditet me vendet që arrestojnë liderin e opozitës. Nuk kanë hequr dorë ata nga drejtimi i opozitës, përkundrazi po e drejtojnë dhe fuqishëm. Të gjithë ata aty ku janë. Dhe unë do e drejtoj me vendosmëri drejt fitores këtë opozitë. Unë kam besim të plotë se ky narkoregjim, kjo diktaturë e bazuar në vjedhjen, krimin, drogën dhe interesat mafioze, nuk do mund të prevalojë kurrë”, deklaroi lideri i PD-së.

Sa i përket kërkesës për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij, Berisha ai tha se prokurorët e SPAK nuk arritën të paraqesin para Këshillit të Mandateve asnjë provë, pasi sipas tij, ato nuk ekzistojnë. Gjatë konferencës ku u paraqitën të tjera dokumente, që sipas opozitës faktojnë përdorimin e SPAK nga qeveria, Berisha publikoi edhe një dokument që vërteton pjesëmarrjen e prokurorit Arben Kraja në një proces gjyqësor të vitit 1990, ku një i ri është dënuar për mospranim të moralit komunist.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re