Pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, një nga problematikat është edhe strehimi i banorëve. Mëngjesin e sotëm, në një nga zonat ku është shpallur edhe gjendja e Emergjencës, në Thumanë gazetarja e FaxNews Eksiola Shehu është përballur me një sjellje të pazakontë nga banorët e strehuar në çadra.

Ditën e djeshme, gazetarja është lejuar të futet brenda në çadra, ndërsa ditën e sotme, ajo nuk është lejuar. Burime për FaxNews, bëjnë me dije se ka mungesa shtretërish dhe batanijesh, ndërsa autoritetet po tentojnë të mbajnë larg edhe kamerat.

Duket se kjo situatë u paralajmërua mëngjesin e sotëm dhe nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili tha se do iu fikte ekranet mediave, pasi sipas tij ato po abuzonin me këtë fatkeqësi natyrore.

Një nga banorët është shprehur se presin ndihmë nga shteti. E pyetur nga gazetarja si është gjendja brenda çadrave, banorja i është drejtuar duke i thënë “O zonjë kaq mund të të them”.

Ndërsa një tjetër banor tha se ndodheshin 7 persona në çadër dhe kishin vetëm 3 shtretër, por nuk ka pranuar të flasë më shumë.

“Ishim 7 veta dhe kishim 3 shtretër, nuk mund të themi më shumë tani, shtëpia ka marrë plasaritje nga brenda”.

Strehimi i banorëve në çadra është problematike edhe në zonën e Laçit, ku banorët thotë se janë tentuar të nxirren jashtë nga policia dhe u është thënë se nuk ka më rrezik dhe se duhet të kthehen në banesat e tyre.

Banorët shprehen të irrituar dhe nuk pranojnë të kthehen në banesat e tyre pasi kanë shumë plasaritje dhe dëmtime.

Deri më tani numri i viktimave ka shkuar në 40, ndërsa janë mbi 650 persona të lënduar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re