Shumicën e netëve Alma i kalon zgjuar, me frikën se kur të agojë, i biri mund të ketë nevojë për të shkuar në spital… ose më keq akoma.

Alteo është 7 vjeç dhe vuan nga një sëmundje e rrallë e zemrës. Nga momenti në moment, zemra e tij mund të pushojë së rrahuri. Por jo lotët e kësaj nëne, e cila nuk pushon dot së qari.

“Nuk ka jetë për mua pa djalin… kam frikë të flë gjumë, a do të gdhijë djali apo jo. Kur nxihet djali nuk e shikoj dot… im bir mund të humbë jetën nga momenti në moment. Jetën pa Alteon nuk e imagjinoj dot.”-thotë Alma mes ngashërimave.

Familja jeton në Bulqizë, në kushte të vështira ekonomike. Një rrogë e vetme e mban familjen, e cila sigurohet nga babai i Alteos, minator. Alma tregon se ka një kurim për të birin, por shuma e kërkuar për shërimin e tij është e papërballueshme. E rrënuar shpirtërisht, kësaj nëne i ka mbetur veçse t’i lutet Zotit dhe shqiptarëve bamirës për ndihmë.

“Shpresa jonë e vetme është spitali Bambino Gesu në Romë, por shuma që kërkohet nuk mund ta përballojmë dot, 60 mijë euro. Ne jetojmë në Bulqizë, me një rrogë miniere… këtu kushtet tona janë skandaloze.

Zemrën time do t’ja jepja djalit, o Zot më ndihmo, o Zot më ndihmo… shqiptarëve ju lutem, vini dorën në zemër, të shpëtoj djalin.”-thotë Alma.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re