Për të shuar lotët, pamundësinë dhe vuajtjet e një nëne. Për të sjellë gëzim në zemrën e një babai, në sytë e një vëllai.

Fondacioni Firdeus mori përsipër të mbulojë operimin e Adelës, 21 vjeçares të sprovuar nga autizmi, epilepsia dhe skolioza. Sëmundja e skoliozës po i rrezikonte jetën Adelës, ndaj Fondacioni i erdhi në ndihmë familjes nga Tirana, që e kishte të pamundur të përballej me faturën e operacionit.

Nënës së Adelës, Suzanës, iu duk e pabesueshme që brenda një kohe shumë të shkurtër, ëndrra e saj për t’i shpëtuar jetën të bijës u bë realitet.

“Pas mëse 7 vitesh, ëndrra jonë për operimin e vajzës u realizua. Nuk e mendoja se do të ndodhte kaq shpejt, jamë shumë e habitur. Si ka mundësi thamë që arritëm kaq shpejt. E falenderoj shumë nga zemra fondacionin Firdeus e të gjithë ata që kanë kontribuar për ne. Shpresoj shumë për vajzën, që t’ja dalë, me shpresën tek Zoti. Ndoshta bashkë me Zotin, Adela mund të shpëtojë nga kjo (skolioza).”rrëfeu Suzana.

E pas lajmit të gëzueshëm, erdhi momenti që Adela të hynte në operim. Çastë të vështira për dy prindërit, Suzanën e Kujtimin dhe për vëllain e Adelës, Kevin.

Adela tashmë hyn në operim, ndërsa jashtë derës së sallës Suzana s’mund t’i mbajë më dot lotët.

Pas pak orësh doktori vjen për të takuar familjen e Adelës. Operacioni ka përfunduar me sukses të plotë.

“Mbaroi. Gjithçka ka shkuar siç duhet. Nuk ka asnjë problem. Kemi rregulluar të gjitha, nga fillimi deri në fund. Kurrizi tashmë është i drejtë. Operimi shkoi shumë shumë mirë, qetë”-shpjegoi doktori.

Suzana, Kujtimi e Kevin duket sikur çlirohen nga një barrë e madhe. Nëna e Adelës mbushet në lot gëzimi. Fytyra e saj çelet nga një buzëqeshje e bukur…

“O Zot i madh…”-thotë Suzana ndërsa buzëqeshja e saj e mbush dhomën me gëzim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re