Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) bëri thirrje për ndërprerjen e dhunës në Kazakistan, ku janë organizuar protesta masive kundër rritjes së çmimit të karburanteve.
Organi më i lartë musliman në një deklaratë me shkrim shprehu shqetësim të madh për zhvillimet që po ndodhin në vendin e Azisë Qendrore dhe trishtim për aktet e dhunës që kanë shkaktuar dhjetëra vdekje dhe dëmtime të pronës publike.
Duke i bërë thirrje popullit kazak për të treguar përmbajtje dhe për t’i dhënë fund akteve të dhunës, organizata pohoi gjithashtu solidaritetin e saj me qeverinë kazake në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
– Çfarë po ndodh në Kazakistan?
Forcat kazake të sigurisë thanë më herët se dhjetëra protestues kanë vdekur teksa tentonin të pushtonin ndërtesat qeveritare në Almaty, metropolin më të madh të Kazakistanit.
Situata thuhet se është nën kontroll në qytetet Shymkent pranë kufirit me Uzbekistanin dhe Aktau që ndodhet në bregun lindor të Detit Kaspik.
Po ashtu, presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka vendosur një shtetrrethim në Almaty, ku mijëra njerëz dolën në rrugë.
Protestat filluan në Kazakistanin perëndimor më 2 janar për shkak të rritjes së çmimeve të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) dhe më vonë u përhapën në pjesë të tjera të vendit.
Për të garantuar sigurinë publike, një gjendje e jashtëzakonshme u shpall në Almaty dhe rajonin e pasur me naftë Mangystau.
Tokaev ka miratuar gjithashtu dorëheqjen e qeverisë.
Ai më vonë kërkoi ndihmë nga aleanca ushtarake e udhëhequr nga Rusia, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), e cila ra dakord të dërgonte një numër të paspecifikuar paqeruajtësish.
