Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) tha se do të mbajë një takim të jashtëzakonshëm më 25 prill për të “diskutuar shkeljet në rritje të Izraelit kundër Xhamisë Al-Aksa”.

OBI njoftoi se takimi është me kërkesë të Indonezisë dhe do të mbahet në nivel të përfaqësuesve të përhershëm.

Grupi pan-musliman tha gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm Hissein Brahim Taha zhvilloi konsultime me disa aktorë ndërkombëtarë për të shprehur “refuzimin dhe dënimin e OBI-së ndaj përpjekjeve të okupimit izraelit për të imponuar ndarje kohore dhe hapësinore në Xhaminë Al-Aksa”.

Taha i kërkoi komunitetit ndërkombëtar dhe aktorëve “të ndërmarrin veprime urgjente për t’i dhënë fund shkeljeve të Izraelit kundër vendeve të shenjta”.

Tensionet janë rritur në territoret palestineze që nga fillimi i prillit, pas arrestimeve të përsëritura të forcave izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Inkursionet e përditshme të kolonëve në Xhaminë Al-Aksa për të festuar festën njëjavore të Pashkëve Hebraike e kanë ndezur më tej situatën.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re