Në Qarkun e Shkodrës situata nga përmbytjet vijon të jetë e rëndë për shkak të reshjeve të shumta të rëna gjatë ditëve të fundit. Sipas raportit të publikuar nga prefektura e qarkut, deri tani, janë përmbytur 1585 hektarë toke.

Situata më e rëndë vijon të mbetet në fshatin Obot, rrugët drejt të cilit janë të kalueshme vetëm me mjete të larta. E vetmja mënyrë për të hyrë dhe dalë nga Oboti është një mjet i ushtrisë, i cili u ka ardhur në ndihmë banorëve.

Në një komunikim për mediat nga kjo zonë Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi tha se derimë tani ka një menaxhim të mirë të shkarkimeve nga hidrocentralet.

“Kam marrë një informacion që këtu në fshatin Obot, përsa i përket sipërfaqes nuk kemi tërheqje të ujërave. Jemi në një sipërfaqe të ulët në nivelin e detit. Pozitive është që kemi një ulje të lehtë të nivelit disa cm. Era që po fryn po na ndihmon dhe po përshpejton çuarjen e ujërave drejt detit. Një gjë tjetër pozitive është ulja e intensitetit të reshjeve. E rëndësishme është që të mos kemi përmbytje në Shkodër dhe gjasat janë që do arrijmë ta evitojmë. Reshjet do të shtohen por ne po bëjmë një menaxhim të mirë të kaskadës. Sot komunikova me drejtorin e KESH-it.

Fierza po punon me dyer të mbyllura. Në Vaun e Dejës ka shkarkime normale. Shpresojmë që të mos përkeqësohet më shumë situata. Ne jemi në gatishmëri. Drejtori i Emergjencave Civile ka qenë prezent në çdo moment. Janë dhjetra trupa të Forcave të Armatosura në terren. Kemi rezultate të mira të prurjeve në krahasim me vitet e kaluara. Ditën e djeshme kishim rreth 4200 metër kub për sekond. Përpara 10 vjetësh është përmbytur e gjithë Shkodra me vetëm gjysmën e këtyre prurjeve. Ne jemi të gatshëm për evakuim. Dje kemi bërë disa evakuime. Kemi 260 persona nga Forcat e Armatosura në dispozicion. Mbi 1200 trupa të angazhuar” – tha Peleshi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re