Pandemia e koronavirusit është bërë shkak për regjistrimin e 159,000  vdekjeve “tepër” në vendet evropiane që nga fillimi i marsit. Shifrat janë bërë publike nga Hans Henri Kluge, Drejtori i OBSH për Evropën të enjten.

“Vdekje tepër” është një term i përdorur për të përcaktuar numrin e vdekjeve që kanë ndodhur në një krizë të caktuar, përtej asaj që do të pritej të ndodhte në “kushte normale.”

OBSH liston 53 vende në rajonin e saj në Evropë duke përfshirë edhe Rusinë e Turqinë. Sipas Kluge, në kontinentin e vjetër janë konfirmuar më shumë se 2 milion raste me Covid-19 dhe mbi 175,000 viktima.

Henri Kluge u shpreh gjithashtu ky bilanc vdekjesh është “përtej asaj që do të kishim pritur në një situatë normale në këtë pjesë të vitit.” OBSH njoftoi gjithashtu se 94% e të gjitha vdekjeve Covid-19 ishin persona mbi moshën 60-vjeç dhe 59%  e të gjitha vdekjeve ishin burra.

Nga numri total i vdekjeve, 97% e të gjitha rasteve kishin të paktën një sëmundje shoqëruese, ndërsa sëmundjet kardiovaskulare ishin më të zakonshmet. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re