Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) tha që vaksina e aprovuar nga Rusia këtë javë nuk është ndër nëntë që ajo konsideron se është në faza të përparuara të testimit.

OBSH dhe partnerët kanë klasifikuar nëntë vaksina eksperimentale kundër COVID-19 në një program investimi që inkurajon vendet të bashkohen, dhe projekti njihet si Covax.

Nisma lejon vendet të investojnë në disa vaksina në mënyrë që të marrin qasje të hershme, dhe teorikisht sigurojnë fonde për vendet në zhvillim, raporton AP.

OBSH po kërkon informacione shtesë

“Aktualisht, ne nuk kemi informata të mjaftueshme për të marrë një vendim mbi vaksinën ruse,” tha Dr. Bruce Aylward, Këshilltar i Lartë i Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH.

“Ne jemi aktualisht në bisedime me Rusinë për të marrë informacion shtesë për të kuptuar statusin e këtij produkti, testet e bëra dhe më pas cilat janë hapat e ardhshëm”, tha ai.

Presidenti Vladimir Putin njoftoi këtë javë se Rusia ka aprovuar një vaksinë kundër virusit COVID-19, duke pretenduar se mbron njerëzit deri në dy vjet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re