Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se në shkurt të vitit të ardhshëm do të nisë negociatat për një marrëveshje globale, që synon luftim më të mirë të pandemive.

 

Organizata me 194 vende anëtare ka thënë se një marrëveshje e tillë është e nevojshme për të siguruar që të mos përsëritet më kurrë kriza globale e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

 

Në negociatat e zhvilluara këtë javë është thënë se shtetet janë pajtuar “për të zhvilluar draftin e parë të marrëveshjes, që synon mbrojtjen e botës nga pandemitë në të ardhmen”.

 

Ky njoftim vjen disa ditë para përvjetorit të tretë të shpërthimit të koronavirusit në Kinë.

 

Disa javë më vonë, virusi ka nisur të përhapet në gjithë botën, duke shkaktuar pandeminë më të rëndë në shekull.

 

Si pasojë e këtij virusi kanë vdekur 6.6 milionë njerëz, derisa kriza globale u ka kushtuar ekonomive me triliona dollarë.

 

Ndikimi i pandemisë në “jetët e njerëzve, në ekonomi dhe shoqëri, nuk duhet të harrohet kurrë”, ka thënë OBSH.

 

Planet për miratim të tekstit të marrëveshjes pritet të finalizohen deri në pranverën e vitit 2024.

 

Për koronavirusin e ri – që shkakton sëmundjen COVID-19 – është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

 

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./rel