Vendet e pasura, duke rendur drejt vaksinës COVID-19, duhet të marrin në konsideratë situatën në pjesët më të varfëra të botës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke paralajmëruar se akumulimi i dozave të vaksinave e mban “gjallë” pandeminë.

Zyrtarët e OBSH-së e bënë deklaratën pasi Komisioni Evropian tha se kishte rënë dakord mbi një plan për të kontrolluar eksportet e vaksinave nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se duhej ta bënte këtë për të siguruar furnizimet e veta, raportoi Reuters.

“Nëse grumbullojmë vaksina, në vend që t’i ndajmë ato, do të ketë tre probleme të mëdha. E para, siç e kam thënë tashmë, do të jetë një dështim katastrofik moral; së dyti, pandemia do të vazhdojë të jetë ‘e gjallë’; së treti, rimëkëmbja ekonomike globale do të jetë shumë e ngadaltë,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhan Ghebreyesus në një konferencë virtuale.

“Zgjedhja është e jona dhe shpresoj të bëjmë zgjedhjen e duhur,” tha ai gati një vit pasi deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të shfaqjes së koronavirusit.

Mike Ryan, eksperti kryesor i urgjencës i OBSH-së, tha në konferencën, e cila u ndoq gjithashtu nga një mami nga Uganda dhe një infermiere nga Pakistani, se njerëzit duhet të mendojnë për kolegët që janë në ballë të luftës kundër infeksionit, si ata.

Ai dënoi vendet që “luftojnë për llokma” ndërsa punonjësit shëndetësorë në vendet e varfra “nuk kanë qasje në thërrime”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re