Zyrtari i lartë i OBSH-së, Tedros, paralajmëroi të hënën se kushtet globale janë të përshtatshme për shfaqjen e mutacioneve të Covid-19 në formën e varianteve të reja. Sipas tij, është e rrezikshme të supozohet se pandemia po i afrohet fundit të saj.

Duke folur për bordin ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se që kur varianti Omicron u identifikua, vetëm nëntë javë më parë, janë raportuar në OBSH më shumë se 80 milionë raste të infektimeve me Covid – më shumë nga sa janë raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Javën e kaluar, raportoheshin mesatarisht 100 raste të reja çdo tre sekonda, shtoi Tedros, ndërsa çdo 12 sekonda, një person humbiste jetën nga virusi.

Në një kohë kur infektimet kanë qenë në rritje, Tedros vuri në dukje se “shpërthimi” i rasteve të reja nuk ishte shoqëruar me një rritje të numrit të vdekjeve, megjithëse fatalitetet po shtohen në të gjitha rajonet, veçanërisht në Afrikë, ku shumë vende e kanë të vështirë të kenë akses te vaksinat.

“Është e rrezikshme të supozohet se Omicron do të jetë varianti i fundit, ose se jemi në prag të përfundimit të pandemisë,” paralajmëroi Tedros. “Përkundrazi, globalisht kushtet janë ideale që të shfaqen variante të tjera. Për të ndryshuar rrjedhën e pandemisë, ne duhet të ndryshojmë kushtet që po e nxisin atë.”

Ai shtoi se bota nuk mund të “luajë me një virus, evolucionin e të cilit ne nuk mund ta kontrollojmë apo ta parashikojmë”.

Javën e kaluar, një tjetër zyrtar i lartë i OBSH-së paralajmëroi se edhe pse përhapja e rasteve të reja të Omicron po ngadalësohej në disa vende, shifrat e larta të infektimeve në të gjithë botën ka të ngjarë të sjellin shfaqjen e varianteve të reja, duke i dhënë mundësi virusit të pësojë mutacione.

Emergjenca Covid ‘mund të përfundojë këtë vit’

Megjithatë, Tedros ishte optimist se nëse ndiqen hapat e duhur, pandemia mund të arrijë një pikë kthese në vitin 2022.

Duke pranuar se njerëzit janë të lodhur nga pandemia dhe se shumë qeveri po mundohen të ruajnë balancën mes kontrollit të numrit të infektimeve dhe asaj që është e pranueshme për popullsinë, Tedros tha se nuk kishte “përgjigje të thjeshta”.

Por ai shtoi: “Nëse vendet përdorin të gjitha strategjitë dhe mjetet [e OBSH-së] në një mënyrë tërësore, ne mund t’i japim fund fazës akute të pandemisë këtë vit – ne mund t’i japim fund Covid-19 si një emergjencë shëndetësore globale dhe mund ta bëjmë këtë brenda vitit.”

Këto strategji përfshijnë arritjen e objektivit të OBSH-së për të vaksinuar 70% të popullsisë së botës, rritjen e kapaciteteve të testimeve dhe sigurimin e aksesit të barabartë tek oksigjeni dhe te trajtimet antivirale për Covid.

Duke folur në eventin virtual të Axhendës së Davosit të Forumit Ekonomik Botëror javën e kaluar, Dr. Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, tha gjithashtu se shoqëria kishte një shans për t’i dhënë fund emergjencës Covid në vitin 2022, nëse adresohen pabarazitë e tejzgjatura, të tilla si aksesi i drejtë te vaksinat dhe në kujdesin shëndetësor./ CNBC

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re