Organizata Botërore e Shëndetësisë pret që një version më i transmetueshëm i variantit Omicron të qarkullojë në të gjithë botën, megjithëse nuk është ende e qartë nëse ky nënvariant i Covid mund të riinfektojë personat që e kanë kaluar më parë Omicron.

Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19, tha të martën se agjencia globale e shëndetit po gjurmon katër versione të ndryshme të Omicron. Van Kerkhove tha se nënvarianti BA.2, i cili është më infektues se versioni BA.1 që mbizotëron aktualisht, ka të ngjarë të bëhet më i zakonshëm.

“BA.2 është më i transmetueshëm se BA.1, prandaj ne presim të shohim një rritje të përhapjes së BA.2 në mbarë botën” – tha Van Kerkhove gjatë një sesioni pyetje-përgjigje të transmetuar drejtpërdrejt në platformat e mediave sociale të OBSH-së të martën.

OBSH po monitoron BA.2 për të përcaktuar nëse ky nënvariant shkakton rritje të numrit të infektimeve të reja në vendet që kanë pasur një rritje të shpejtë dhe më pas një rënie të menjëhershme të rasteve me Omicron, tha ajo.

Van Kerkhove theksoi se nuk ka asnjë tregues për ndonjë ndryshim në ashpërsinë e infektimit të shkaktuar nga secili prej këtyre nënvarianteve, megjithatë ajo vuri në dukje se po vazhdojnë të kryhen studime për këtë aspekt. Në përgjithësi, Omicron nuk shkakton një sëmundje aq të rëndë sa variantet Alfa dhe Delta, megjithëse përhapet më shpejt.

Studiuesit në Danimarkë kanë zbuluar se BA.2 është rreth 1.5 herë më i transmetueshëm se BA.1 dhe ka më shumë mundësi të infektojë njerëzit e vaksinuar, madje edhe ata që kanë marrë doza shtesë. Megjithatë, njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kanë më pak gjasa që ta përhapin këtë virus, në krahasim me të pavaksinuarit.

Van Kerkhove tha se vaksinat mbeten shumë efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë dhe humbjes së jetës, por ato nuk parandalojnë të gjitha infektimet. Ajo u bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen dhe të mbajnë maska ​​në ambientet e mbyllura.

Dr. Abdi Mahamud, menaxheri i incidentit të Covid në OBSH, tha se është e paqartë nëse BA.2 mund të riinfektojë njerëzit që kanë kaluar më parë versionin BA.1.

Kjo mund të ketë një ndikim të madh te mundësia e virusit për t’u përhapur. Një studim në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se dy të tretat e njerëzve që u infektuan me Omicron deklaruan se e kishin kaluar Covid-in edhe më parë.

Shumica e shteteve në SHBA kanë konfirmuar rastet me BA.2 te popullsia e tyre, megjithëse ky version po qarkullon në një nivel të ulët me 460 raste totale të konfirmuara deri më tani, sipas një baze të të dhënave ndërkombëtare që gjurmon variantet e Covid. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re