Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rajonin Evropian, Hans Kluge, tha të enjten se momenti aktual është vendimtar në luftën kundër virusit corona, i cili nuk fillon me hyrjen në spital, por shumë më herët.

“Rajoni i Evropës deri më tani ka regjistruar më shumë se 26 milion raste të infeksionit me koronavirus, me më shumë se 580,000 vdekje në vitin 2020. Në 27 vende evropiane, shkalla e vdekshmërisë është më e lartë në vitin 2020 me 313,000 jetëhumbje- tre herë më e lartë se në 2018 dhe pesë herë më e lartë se në 2019,” tha ai në një konferencë për shtyp në internet.

“Ne kemi hyrë në vitin 2021 duke mbyllur 230 milion njerëz në rajonin evropian dhe gjithnjë e më shumë do të bllokohen në javët e ardhshme. Infektiviteti në rajon na ka sjellë një numër shumë të lartë të infeksioneve”, tha Kluge.

Vaksinimi tani është thelbësor

Ai shtoi se që nga 6 janari, midis të gjitha vendeve dhe territoreve në Evropë, pothuajse gjysma kanë një incidencë shtatë-ditore (numri i të sapoinfektuarve) me më shumë se 150 raste të reja për 100,000 banorë, ndërsa një e katërta kanë parë një rritje prej më shumë se 10 përqind në dy javët e fundit.

“Sa i përket festave të Vitit të Ri, mbledhjeve të familjeve, miqve dhe çdo lloj relaksimi të distancimit shoqëror dhe mosmbajtja e maskave, ne do të shohim vetëm atë që sjell. Po ashtu, kishte më pak të testuar, kështu që për momentin nuk kemi një pasqyrë të plotë epidemiologjike”, tha Kluge.

Ai theksoi se imuniteti kolektiv është qëllimi, por që nuk mund të pritet të ndodhë menjëherë.

“Së pari, le të vaksinojmë popullatën dhe të shmangim shembjen e sistemeve shëndetësore. Ne do të shohim për ta bërë intervalin midis dozës së parë dhe të dytë të vaksinës më fleksibël sesa përshkruhet nga kompanitë farmaceutike, dhe ky është një vendim i bazuar në të dhënat që kemi. Kjo është rruga jonë e vetme për të dalë nga pandemia – solidariteti shoqëror, barazia, bashkëpunimi”, tha ai.

Shtamet e reja të virusit, jo më të rrezikshme

Ai përsëriti se OBSH nuk do të lërë askënd të bllokuar, se të gjitha vendet do të marrin vaksina dhe se ato do të rrisin kujdesin që të mos shfaqet një mutacion i ri në COVID-19.

“Sipas informacionit aktual, llojet e reja të virusit (Afrika e Jugut dhe Anglia) nuk janë më të rrezikshme se ato të mëparshmet, por ato janë më ngjitëse. Transmetimi i rritur gjithashtu rrit nivelin e gatishmërisë, sepse rritja e numrit të pacientëve do të rrisë presionin mbi institucionet e kujdesit shëndetësor”.

“Në 2021, neve na ofrohen mundësi të reja, të tilla si vaksinat, por ekziston edhe një sfidë ekzistuese: COVID ka ndryshuar me kalimin e kohës. Ndërsa njerëzit vaksinohen, gjendja do të përmirësohet. Por masat mbeten – distancimi shoqëror, larja e duarve, mbajtja e maskave”, përfundoi Kluge.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re