Organizata Botërore e Shëndetësisë pret që nuk do të ketë asnjë arsye për të ndryshuar vlerësimin e saj të mëparshëm se përfitimet e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 tejkalojnë çdo rrezik, tha të martën zyrtari rregullator i OBSH Rogerio Gaspar.

“OBSH po studion me kujdes të dhënat e fundit, së bashku me rregullatorët evropianë dhe rregullatorë të tjerë, në lidhje me raportet e mpiksjes së gjakut në njerëzit që kanë marrë vaksinën AstraZeneca,” tha ai në një konferencë shtypi.

Gaspar pret që rregullatori të bëjë një vlerësim të ri të mërkurën ose të enjten, por nuk beson se do të ketë një arsye për të ndryshuar rekomandimin e dhënë më parë, sipas të cilit përfitimet e përdorimit të kësaj vaksine tejkalojnë çdo rrezik.

Disa vende kanë ndaluar ose kufizuar përkohësisht përdorimin e AstraZeneca, pas disa rasteve të mpiksjes së gjakut.

Gjermania do të rezervojë përdorimin e vaksinës AstraZeneca vetëm për njerëzit mbi moshën 60 vjeç, njoftuan të martën ministritë shëndetësore rajonale dhe federale.

Agjencia Britanike e Barnave tha më herët se kishte identifikuar 30 raste të mpiksjes së gjakut tek njerëzit që morën vaksinën AstraZeneca, duke vërejtur se përfitimet e vaksinimit tejkalojnë rrezikun “shumë të vogël”.

Agjencia specifikoi në faqen e saj të internetit se deri në 24 mars, pasi ishin marrë 18.1 milion doza të vaksinës së koronavirusit, ajo kishte marrë raporte të 22 rasteve të trombozës venoze cerebrale dhe tetë të tjera.

Nga ato 30 raste, shtatë përfunduan me vdekje, tha agjencia britanike në një deklaratë të përcjellë për AFP.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re