Rreth 14.9 milionë njerëz në mbarë botën kanë humbur jetën si rezultat i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i Covid-19 në periudhën midis 1 janarit 2020 dhe 31 dhjetorit 2021, sipas vlerësimeve të reja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo shifër është gati tre herë më e lartë se numri i humbjeve të jetëve që u raportuan zyrtarisht.

Gjatë kësaj periudhe kohore, kishte 5.4 milionë humbje jete nga Covid-19 të raportuara në OBSH, duke bërë kështu që shtesa e vdekshmërive si pasojë e Covid-19 të jetë 9.5 milionë humbje jete më shumë sesa ato që u raportuan.

“Shtesa e vdekshmërisë është diferenca midis numrit të vdekjeve që janë regjistruar dhe të atyre që do të priteshin në mungesë të pandemisë,” tha Samira Asma, ndihmës drejtoreshë e përgjithshme në Divizionin e të Dhënave, të Analitikës dhe të Dorëzimit për Ndikim në OBSH.

Shifra prej 14.9 milionë humbje jetësh përfshin “vdekjet që i atribuohen drejtpërdrejtë Covid-19, të cilat i janë raportuar OBSH-së; vdekjet që i atribuohen drejtpërdrejtë Covid-19, të cilat nuk janë llogaritur ose nuk janë raportuar; vdekjet që lidhen në mënyrë indirekte me pandeminë për shkak të ndikimit më të gjerë te sistemet shëndetësore dhe te shoqëria”, shpjegoi Asma. Nga kjo shifër zbritet gjithashtu çdo vdekje që u shmang për shkak të ndryshimeve në sjelljet sociale, si përshembull ulja e numrit të vdekjeve nga aksidentet e makinave për shkak të izolimeve apo të kufizimeve të udhëtimit.

Intervali i përllogaritur i shtesës së vdekshmërisë ishte nga 13.3 milionë deri në 16.6 milionë humbje jetësh gjatë periudhës 24-mujore, sipas metodologjisë së përdorur në raportin e OBSH-së.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i vdekjeve të shtuara ishte 932,458 deri më 31 dhjetor 2021, sipas OBSH. Intervali i përllogaritur i humbjeve të jetëve varion nga 886,917 në 978,225.

Kjo shifër është rreth 100,000 humbje jetësh më shumë se 824,338 vdekjet e raportuara nga Shtetet e Bashkuara deri më 31 dhjetor 2021, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

“Informacionet e sakta për numrin e njerëzve që humbën jetën për shkak të pandemisë do të na ndihmojnë të jemi më të përgatitur për pandeminë e radhës,” tha Asma në një konferencë shtypi të enjten, duke shtuar, “Ne duhet të nderojmë jetët e ndërprera në mënyrë tragjike, jetët që humbëm, dhe duhet të kërkojmë përgjegjësinë te vetja jonë dhe te politikëbërësit tanë”.

Këto shifra ofrojnë një pamje më të plotë të përmasave të pandemisë dhe mund të përdoren për të udhëhequr dhe për të zbatuar politikat e shëndetit publik, sipas Asma.

“Nëse nënvlerësojmë, atëherë mund të investojmë më pak. Dhe nëse nuk i numërojmë të gjitha vdekjet e shkaktuara, kjo sjell pamundësinë për të targetuar ndërhyrjet atje ku ato nevojiten më shumë, duke thelluar kështu pabarazitë,” tha ajo.

William Msemburi, zyrtar teknik në Departamentin e të Dhënave dhe të Analitikës në OBSH, tha se rreth 57% e shtesës në numrin e vdekjeve ishte te meshkujt dhe 82% ishte te njerëzit mbi moshën 60 vjeç.

Gati 70% e shtesës së vdekjeve ishin të përqendruara në 10 vende, tha Msemburi, duke i renditur ato sipas alfabetit: Brazili, Egjipti, India, Indonezia, Meksika, Peruja, Rusia, Afrika e Jugut, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Somnath Chatterji, këshilltar në Departamentin e të Dhënave dhe të Analitikës, theksoi rëndësinë e shifrave të shtesës së vdekshmërisë në raportin e OBSH-së.

“Këto nuk janë thjesht disa numra,” tha Chatterji, duke vënë në dukje se përveç numrit të vdekjeve që i atribuohen drejtpërdrejt Covid-19, të dhënat “vlerësojnë gjithashtu dëmin kolateral që ka ndodhur për shkak të Covid, si pasojë e problemeve që solli pandemia në sistemet shëndetësore.”

“Pra, nëse këto numra do të gjurmoheshin në kohën e duhur, atëherë qeveritë do të kishin qenë në gjendje të orientonin masat e tyre te njerëzit e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe kjo është arsyeja pse ne kemi këtë shtesë në numrin e vdekjeve”, tha ai.

“Këto të dhëna kthjelluese jo vetëm që tregojnë ndikimin e pandemisë, por edhe evidentojnë nevojën që të gjitha vendet të investojnë për krijimin e sistemeve shëndetësore që mund të suportojnë shërbimet thelbësore shëndetësore gjatë krizave, duke përfshirë sisteme më të forta të informacionit në shëndetësi,” – tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një njoftim për shtyp. “OBSH është e përkushtuar për të punuar me të gjitha vendet që duan të përmirësojnë sistemet e tyre të informacionit në shëndetësi për të gjeneruar të dhëna më të mira, për një vendimmarrje më të mirë dhe për rezultate më të mira.”/ Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re