Evropa është në një pikë kthese në luftën kundër koronavirusit për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, fillimit të vitit shkollor dhe mbërritjes së vjeshtës, paralajmëroi të martën një nga udhëheqësit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Eshtë koha për t’i dhënë fund “gjuetisë së mirazheve” dhe për të marrë vendime të vështira për të mbrojtur më të prekshmit dhe për të lejuar fëmijët të shkojnë në shkollë, madje edhe me koston e viktimave të pashmangshme, tha drejtori i krizës i OBSH, Michael Ryan.

“Në Evropë, njerëzit së shpejti do të fillojnë të kthehen në hapësira të mbyllura. Presioni infektiv do të intensifikohet,” tha Ryan në një konferencë shtypi virtuale.

Duhet të bëhen lëshime që të rinjtë dhe të moshuarit të marrin pjesë në jetën shoqërore, tha ai.

“E vetmja mënyrë është që të rriturit të mbajnë një distancë të mjaftueshme dhe kështu të ndihmojnë në uljen e numrit të të infektuarve. Cila është më e rëndësishme: kthimi i fëmijëve tanë në shkollë apo hapja e klubeve të natës dhe lokaleve?”, pyeti ai.

Të premten, OBSH raportoi numrin më të madh të infeksioneve të reja në një ditë të vetme, 53,873 raste.

Maria Van Kerkhove, e ngarkuar me menaxhimin e pandemisë COVID-19 në OBSH, vlerësoi se rritja e numrit të njerëzve të infektuar në Evropë mund t’i atribuohet pjesërisht rritjes së testimit dhe monitorimit.

Por ajo paralajmëroi, “sëmundja tani ka arritur nivele më të larta në disa vende sesa ishte në prill dhe maj. Ne mund ta konfirmojmë këtë prirje shqetësuese me siguri,” tha ajo në të njëjtën konferencë shtypi ku morri pjesë OBSH, organizata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e KB (UNESCO) dhe Fondit të Fëmijëve të KB (UNICEF), i cili ishte kushtuar kthimit të fëmijëve në shkollë.

Ryan dhe Van Kerkhove kanë botuar një udhëzues të azhurnuar për masat shëndetësore për të luftuar COVID-19 në shkolla.

“Nuk ka normë zero rreziku,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Pas krizës nëntë mujore, ne kemi një pamje më të qartë se si koronavirusi i ri ndikon tek fëmijët, megjithëse shumë pyetje mbeten pa përgjigje, tha ai. Pjesa e njerëzve nën moshën 20 vjeç në numrin e përgjithshëm të të infektuarve është më pak se dhjetë përqind dhe te të vdekurit është më pak se 0.2 përqind.

Shkollat ​​nuk duhet të mbyllen, përveç “si një mundësi e fundit”, në zonat ku koronavirusi po përhapet me shpejtësi, tha ai.

Drejtori i UNESCO-s Audrey Azoulay vuri në dukje se gjysma e fëmijëve në moshë shkollore në botë nuk janë kthyer ende në shkollë dhe se 11 milion vajza mund të mos kthehen fare në shkollë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re