Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se vitin e kaluar ka pasur një rritje “shqetësuese” të rasteve të fruthit në Evropë, ku kishte tridhjetë herë më shumë raste se një vit më parë, transmeton BBC.

Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se rastet janë në rritje dhe se nevojiten “masa urgjente” për të parandaluar përhapjen.

Më shumë se 30,000 njerëz u infektuan në 2023, krahasuar me 941 në të gjithë vitin 2022.

Vaksinimi është zgjidhja e vetme

“Ne kemi parë, në rajon, jo vetëm një rritje 30-fish të rasteve të fruthit, por edhe pothuajse 21,000 shtrime në spital dhe pesë vdekje të lidhura me fruthin. Kjo është shqetësuese”, tha Hans Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën.

“Vaksinimi është mënyra e vetme për të mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje potencialisht e rrezikshme”, shtoi ai.

Fruthi mund të jetë një sëmundje serioze në çdo moshë.

Të gjitha vendeve në rajonin evropian iu kërkua të zbulojnë fruthin dhe t’i përgjigjen shpejt përhapjes së tij, duke u dhënë vaksina më shumë njerëzve. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re