Organizata Botërore e Shëndetit i ka bërë një tjetër thirrje të rëndësishme Evropës që tashmë ndodhet në “pushtetin” e koronavirusit. OBSH u kërkoi shteteve që të shtojnë përpjekjet për të vënë në kontroll pandeminë duke u vënë në dukje shifrat në ulje në Kinë.

Më shembullin e Kinës, OBSH përcolli mesazhin që me masa të rrepta mund të reduktohet përhapja e pandemisë.

Sipas të dhënave të raportuar nga Universiteti Johns Hopkins, të martën numri i personave të infektuar nga koronavirusi në të gjithë botën ka shkuar në 189,231 ndërsa numri i personave që kanë ndërruar jetë është rritur në 7,330.

Hans Kluge, drejtori rajonal për Evropën pranë OBSH u shpreh të mërkurën se vendet evropiane duhet që t’i trefishojnë masat që kanë marrë deri më tani nëse duan që të ngadalësojnë përhapjen e Covid-19.

Gjatë një transmetimi Live në Facebook, Kluge u shpreh:

“Ja kaq është, shumë e thjeshtë, një realitet i ri. Çdo vend, pa asnjë përjashtim, duhet që të marrin masat më të guximshme të mundshme për të ndaluar apo ngadalësuar kërcënimin që vjen nga virusi. Masat e rrepta duhet të përfshijnë aksion komunitar: Të mendosh se ky nuk është problemi im nuk është opsion.”

Evropa është kthyer tashmë në epiqendrën e pandemisë së Covid-19, një të tretat e rasteve të raportuara globalisht tashmë vijnë nga kontinenti i vjetër. Italia mbetet vendi më i prekur me 27,980 raste të konfirmuara. /abcnews.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re