Pasi Partia Demokratike kërkoi ekpertizë ndërkombëtare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ODHIR u shpreh e gatshme të asistojë në këtë proces. “Vizion Plus” ju drejtua me zyrës së ODHIR në Varshavë për t’i kërkuar një reagim për kërkesën e opozitës. Në përgjigje, ODHIR tha se është gati të japë ndihmë konkrete që palët të dakordësohen dhe të përmbyllet reforma zgjedhore.

 

“ODIHR mbështeti punën e Komisionit Parlamentar Ad-Hoc dhe Këshillit Politik përpara miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor këtë verë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim Këshillin dhe po presim të marrim detaje nga Këshilli në lidhje me aktivitetet e tij dhe se si mund të japim një ndihmë konkrete. Ne mbetemi të gatshëm të mbështesim Shqipërinë në adresimin e rekomandimeve tona zgjedhore”, tha ODHIR për “Vizion Plus”.

 

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik, opozita dhe mazhoranca nuk gjetën gjuhën e përbashkët për koalicionet dhe listat e hapura. Opozita kërkoi që të ruhen koalicionet ku secila parti të ketë listën e saj të kandidatëve për deputet dhe propozoi që për këtë çështje t’i kërkohet mendim ODIHR. Por socialistët hodhën poshtë duke theksuar se ky hap mund të hidhet pasi të jetë hartuar drafti i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re