Me shumë mundësi i përkiste njërit prej 1,517 personave që humbën jetën kur Titaniku u fundos. Ndoshta ishte një kujtim i çmuar ose një talisman i dhënë atij nga një anëtar i familjes, mik ose i dashur. Kujtdo që i përkiste, ekspertët thonë se gjerdani prej qelqi të zi është një nga objektet më të rralla të rikuperuara ndonjëherë nga rrënojat.
I përshkruar si një relike delikate e “një katastrofe”, është i përbërë nga rruaza qelqi të zeza në formën e zemrave, të endura në një model të ndërlikuar. Gjerdani u nxor nga rrënojat e anijes nga RMS Titanic Inc – e vetmja kompani e lejuar ligjërisht për të hequr objekte nga rrënojat, sipas Daily Mail.
“Ky gjerdan është një kujtesë e fuqishme se çdo objekt ka historinë e vet”, tha Thomasina Ray, presidente dhe drejtoreshë e koleksioneve në RMS Titanic Inc. “Nga mjeshtëria te materialet, ofron një mundësi unike për të hedhur një vështrim në stilin, emocionet dhe jetën e përditshme të pasagjerëve të Titanikut. Përpjekjet tona për na lejojnë të mbrojmë dhe ndajmë këto histori me botën”, tha ajo.
Gjerdani u gjet dhe u nxor në copa dhe fragmente të vogla gjatë një ekspedite të vitit 2000, gati një shekull pas mbytjes së anijes.
U gjet në një zonë prej 15 miljesh katrorë me mbeturina. Studiuesit thonë se duhej të nxirrej me kujdes dhe me përpikëri nga një masë e fortë dhe kompakte në shtratin e detit e krijuar nga kushtet mjedisore aty.
“Në fillim, kishte rruaza të lirshme, dhe pastaj copa të vogla të gjerdanit, dhe ato çuan në më shumë rruaza, derisa unë i zgjidha ngadalë copat e këtij gjerdani që ishin ende të lidhura së bashku”, tha Tomasina Rey.
“Një rruazë çonte në një tjetër. Është një mbetje e brishtë e një katastrofe, por është një dëshmi e këmbënguljes njerëzore”, shtoi ajo.
Nuk ka asnjë tregues se kujt i përkiste gjerdani, por ka të ngjarë që poseduesi i tij të ketë vdekur në tragjedi. Ndërsa trupat e viktimave u dekompozuan gradualisht gjatë dekadave, sende personale si ky janë lënë pas. Ekziston gjithashtu mundësia që gjerdani t’i përkiste njërit prej të mbijetuarve, i cili e humbi atë në konfuzion.
Ekspertët thonë se gjerdani ofron një kuptim më të thellë të modës së vitit 1912, duke reflektuar trendet. Në vitin 1912, bizhuteritë e zeza shpesh bëheshin nga materiale të tilla si xheti francez, një lloj qelqi që u bë popullor gjatë epokës viktoriane si për stilin ashtu edhe për simbolikën e tij.
Gjerdani në ekspozitë 25 vjet pas rikuperimit të tij
Në 25 vitet që nga rikuperimi i tij, gjerdani është rimontuar, studiuar dhe ruajtur në laboratorin e rikuperimit të RMS Titanic Inc. Tani është i disponueshëm për t’u parë nga publiku në atraksionin turistik “Titanic: The Artifact Exhibition” në Orlando, Florida, i cili paraqet më shumë se 300 produkte nga anija tragjike.
RMS Titanic Inc tani ka rikuperuar më shumë se 5,500 objekte autentike në nëntë ekspedita që përfshijnë gati katër dekada.
“Çdo përpjekje ruajtjeje pasqyron një angazhim të thellë për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën dhe për të ndarë historitë e tyre përmes trashëgimisë së prekshme të Titanikut“, tha kompania.
Anija u mbyt në orët e para të 15 prillit 1912, pasi u përplas me një ajsberg, duke u mbytur me rreth 1,517 nga 2,224 personat në bord. /tesheshi.com/