“Ka një lloj rikthimi në debatet që dikur Grupi Parlamentar i opozitës ka pasur”. Kështu u shpreh deputeti Oerd Bylykbashi.

I ftuar në studion e Ora Newsi deputeti u shpreh se debatet e brendshme brenda një partie janë të shëndetshme sepse ky është një fakt që sistemi imunitar i partisë funksionon. Sipas Bylykbashit rikthimi i debatit është reagim për rikthimin e demokracisë e cila ka humbur plotësisht brenda partisë.

“Këto lloj debatesh janë të shëndetshme sepse edhe rebelimi brenda për brenda një force politike do të thotë që sistemi imunitar i partisë funksionon. Me kalimin e kohës këto lloj debatesh u zhdukën sidomos pas asaj që ndodhi me listat e PD-së në 2017. Shumë shpejt ne u gjendëm në rrugë me një vendim të kryetarit Basha dhe më pas shkuam te ajo që prodhoi 25 prilli.

Aty duhet gjendur shkaku kryesor i atij rezultati. Kemi një rikthim të debatit në këto momente, një reagim për të kthyer demokracinë e cila nuk është duke humbur, por ka humbur brenda partisë. Basha ka vazhduar të marrë vendime në kundërshtim me statutin”, tha Bylykbashi.

Për Bylykbashin, kreu i partisë opozitare Basha është shumë larg liderit të një partie. Bylykbashi u shpreh se partia ka një kryetar, pro fjala lider ka dimension tjetër. Sipas tij, Basha ka marrë vendime në kundërshtim me statutin.

Bylykbashi: “Ne kemi një kryetar partie, por fjala lider është më e madhe, ka dimension tjetër. Ne kemi një figurë e cila ka projektuar veten pas humbjesh njëra pas tjetrës, ka ndryshuar vazhdimisht statutin dhe ndërkohë kemi decentralizim të pushtetit  dhe nga simptomat kupton se çfarë sëmundje po zhvillohet. I gjithë ekzekutivi i partisë praktikisht është emëruar në kundërshtim të statutin, nuk janë zgjedhur.

Statuti parashikon që zgjedhja e këtyre funksionarëve të rëndësishëm të partisë duhet të zgjidhen me votim të fshehtë. Këto janë të gjitha simptoma të asaj që është kur një kryetar mendon se mund të bëjë çdo gjë në kundërshtim me statutin. Është statuti ai që në mban ne bashkë si demokratë, më pas jemi qytetarë të lirë që s’kemi lidhje bashkë”, tha ai.

Përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, Bylykbashi e cilëson nul. Sipas tij, një vendim i marrë në kundërshtim me statutin e partisë nuk ka efekt, efektin e ka politik dhe të dëmshëm:

“Ndërsa vazoja ishte duke u mbushur, akti që mori Basha për përjashtimin e zoti Berisha nuk është vendim, është në kundërshtim me statutin, është nul dhe nuk ka efekt, efektin e ka politik dhe e ka të dëmshëm. Ai akt theu vazon, pra nuk e derdhi. Është njësoj sikur kryeministri të marrë një vendim në kundërshtim me Kushtetutën, është nul. Si mundet një parti që ka mungesë totale të demokracisë së brendshme të kërkojë demokraci jashtë? Debati në PD është një çështje demokracie.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re