Kryeministri britanik Boris Johnson u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, në kohën kur masat e karantinës hyjnë në fuqi dhe vuri në dukje se programi i testimit dhe monitorimit të kontaktit nuk kishte aq ndikim sa qeveria donte, por që situata po përmirësohet.

Sipas masave të reja kufizuese, pub-et, restorantet dhe dyqanet puna e të cilëve nuk konsiderohet e nevojshme po mbyllen.

Johnson tha se ai shpreson që një lloj jete normale do të kthehet në vend para kremtimit të Krishtlindjeve sipas kalendarit Gregorian, nëse njerëzit ndjekin rregullat, raporton Reuters.

Ai tha se ishte i vetëdijshëm se njerëzit ishin të lodhur, por ai vlerësoi se masat, të cilat do të jenë në fuqi për katër javë, do të kenë me të vërtetë një ndikim në virus, sipas BBC.

Ai tha në një konferencë shtypi dje se vlefshmëria e masave kufizuese do të “skadojë automatikisht” në 2 dhjetor.

“Unë i kuptoj zhgënjimet e njerëzve në lidhje me testimin dhe monitorimin e bërë nga NHS (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar) dhe kjo është ndeshur me shumë kritika dhe padyshim që u desh shumë kohë që njerëzit të merrnin rezultate, por po bëhet më mirë”, tha Johnson.

Ai shtoi se ndërsa nuk kishte aq shumë ndikim sa donte qeveria, “nuk ka dyshim se duke identifikuar njerëzit që janë të infektuar dhe vendet ku janë të infektuar kemi arritur të ulim R (shkalla e riprodhimit)”.

Johnson tha se Britania do të mbështetet në testimin dhe sigurimin e terapive dhe ilaçeve më të mira për të luftuar koronavirusin nëse vaksinat që po zhvillohen kanë sukses të kufizuar në luftimin e përhapjes së infeksionit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re