Deputetja Ermonela Felaj është zëri i parë nga mazhoranca që reagon pas deklaratës së presidentit Ilir Meta se është gati të dorëhiqet, nëse kjo ndihmon në zgjidhjen e ngërçit politik në vend dhe që të mos instalohet një juntë ushtarake.

Për Felajn, është e paqartë çfarë ka dashur të thotë kreu i shtetit, i cili po sipas saj po ngatërron rolin me opozitën. “Nuk është se kam një koment mirëfilli për atë që ka deklaruar Presidenti, por më lejoni të them që është e paqartë çfarë ka dashur të bëjë presidenti. Gjithnjë e më shumë po ngatërron rolin me opozitën. Ajo që po kërkohet të destabilizohet është rendi dhe siguria në vend”, deklaroi Felaj në emisionin ‘Mbrëmje ide’ të Mirela Milorit.

Në emër të mazhorancës, Felaj u shpreh se nuk mund të ulen në tavolinë me opozitën për sa kohë që vë kushte,  duke iu referuar kërkesës së opozitës së bashkuar për krijimin e një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër. “Në tavolinë mund të ulet kushdo, por kushte nuk mund të vërë askush. Aq më pak opozita nuk mund të vërë kushte nuk mund të jetë kryeministri etj. Ne jemi këtu se na ka dhënë një atribut populli. Në rast se duhet të flasë populli ai do jetë nëpërmjet zgjedhjeve. A është gati opozita për dialog me mazhorancën? Opozita është në kërkim të një përplasjeje të fortë  për të justifikuar protesta që po rrudhen gjithmonë e më shumë”, sqaroi Felaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re