Ata që po mbrojnë Sali Berishën pasi u shpall “non grata” nga SHBA, për përfshirje në korrupsion dhe minim të demokracisë shqiptare, përqendrohen kryesisht në dy argumente.

Së pari, se Sali Berisha është njeri i ndershëm dhe nuk është përfshirë personalisht në asnjë aferë korruptive.

Së dyti, se ai është njeriu më pro-amerikan dhe pro-perëndimor në Shqipëri, dhe madje është lavdëruar disa herë nga vetë SHBA.

Këtë gjë e theksonte sot edhe Tritan Shehu në një intervistë, ku shprehej se SHBA mund ta korrigjojë vendimin, pasi Berisha është njeriu më pro-amerikan në vend, a thua se SHBA e ka shpallur atë “non grata” se është anti-amerikan.

Nëse SHBA do të ndiqte këtë standart, do të shpallte “non grata” në Shqipëri fjala vjen Fatos Lubonjën, që s’lë rast pa sulmuar Amerikën dhe politikën e saj.

Po Lubonja, përveç marrëzive që thotë, nuk është as i korruptuar dhe as minues i demokracisë shqiptare (edhe pse bën thirrje për revolucione).

Por, le ta marrim të mirëqenë se Sali Berisha është i pakorruptuar dhe pro-amerikan.

Problemi është se gjithë mbrojtësit e Berishës janë përqëndruar vetëm tek ai dhe “harrojnë” se SHBA ka shpallur “non grata” edhe gruan e tij, Liri Berisha, djalin, Shkëlzen Berisha dhe vajzën, Argita Malltezi.

Bëjnë sikur i harrojnë në fakt dhe përqendrohen vetëm tek Berisha, për të thënë se kjo është një goditje politike ndaj tij, jo se ai është realisht i korruptuar.

Dhe normalisht nuk i përmendin gruan dhe fëmijët e tij, pas realisht ata janë ata që e kanë “marrë më qafë” Berishën.

Se vërtet Berisha nuk mund të ketë marrë para vetë, por bënte ligje që të favorizonte të birin për të ngritur fabrikën e vdekjes në Gërdec.

Dhe pasi ndodhi gjëma, u mor peng nga Fatmir Mediu dhe e ka mbrojtur gjithë jetën për të mos shkuar në burg.

Vërtet Berisha mund të mos ketë prekur para me dorë vetë dhe të jetojë në një apartament modest siç thotë, por e bija iu bënte presion biznesmenëve, duke iu kërkuar miliona euro për firmën e të atit.

Dhe sot, Berisha i kalon fundjavat në një vilë luksoze në Lalëz, që thotë se e ka e bija, pikërisht falë firmave që lëshonte për njerëzit që i dërgonte Argita në zyrë.

Për të mos përmendur pastaj të shoqen, Lirinë, që shfrytëzonte fëmijët me probleme, për të mbledhur para nga biznesmenë që bënin kërdinë vetëm se dilnin në foto me të, kuptohet kundrejt pagesave që i bënin, si fjala vjen Rezart Taçi.

Pra kur mbroni Berishën, duhet kujtoheni se pas vetes ai ka edhe gruan, të birin dhe vajzën, të cilët, ndryshe nga ai, nuk i fshehin dot pasuritë që kanë bërë falë korrupsionit shtetëror.

Se kanë vila, biznese, televizione, portale etj, edhe pse zyrtarisht i biri i Berishës nuk ka punuar ndonjëherë në jetë, e bija ka qenë thjesht pedagoge, ndërsa e shoqja mjeke.

Profesione që nuk i justifikojnë dot gjithë ato pasuri dhe jetë luksi që bëjnë.

Ndaj mos i bën budallenj njerëzit, duke iu thënë se s’ka njeri më të pastër dhe më pro-amerikan se Berisha, se dhe vetë fanatikët e Berishës vështirë se e besojnë këtë gjë.

Berisha dhe familja e tij janë të korruptuar deri në fyt dhe provat janë prej vitesh sheshit, pasi as janë kujdesur t’i fshehin.

Ndërsa këtë përrallën e pro-amerikanit, bëni mirë ta ndryshoni, pasi Berisha është politikani i vetëm në Shqipëri, që është përplasur me çdo ambasador amerikan në Shqipëri, që prej manipulimit të zgjedhjeve më 1996.

Dhe nuk ka qenë përplasje personale, siç janë munduar ta shesin shumë herë, por përplasje me politikat amerikane, pasi ambasadorët përfaqësojnë SHBA-në këtu, jo veten e tyre.

Fakti që u shpall “non grata”, e tregon më së miri këtë gjë.

(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re