Ukraina mund të përdorë armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara për të sulmuar forcat ruse që hapin zjarr ndaj trupave ukrainase kudo përtej kufirit me Rusinë, jo vetëm në territorin rus pranë rajonit të Kharkiv të Ukrainës, tha Pentagoni.

Muajin e kaluar, presidenti Joe Biden autorizoi Kievin të lëshojë armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara në objektivat ushtarake brenda Rusisë.

Zyrtarët, megjithatë, thanë në atë kohë se vendimi i Biden zbatohej vetëm për objektivat brenda Rusisë pranë kufirit me rajonin Kharkiv të Ukrainës.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Pentagonit, gjeneralmajor Patrick Ryder u tha gazetarëve se megjithëse nuk kishte ndryshim në politikë, përdorimi i armëve nga Ukraina kundër trupave ruse nuk ishte i kufizuar në afërsi të Kharkivit nga pala ruse.

“Aftësia për të kthyer zjarrin kur qëllohet mbi forcat ukrainase është në të vërtetë ajo në të cilën përqendrohet kjo politikë pasi ne shohim trupat ruse që sulmojnë përtej kufirit, aftësinë e Ukrainës për të kthyer zjarrin nga ato forca tokësore duke përdorur municione të ofruara nga Shtetet e Bashkuara.” tha Ryder.

“Është vetëmbrojtje, kështu që ka kuptim që ata mund ta bëjnë këtë”, shtoi ai.

Deklaratat e Ryder u bënë jehonë komenteve të bëra nga këshilltari i sigurimit kombëtar të Biden në fillim të kësaj jave.

“Nuk ka të bëjë me gjeografinë. Ka të bëjë me sensin e shëndoshë. Nëse Rusia po sulmon ose po përgatitet të sulmojë Ukrainën nga territori i saj, ka kuptim vetëm të lejojmë Ukrainën të hakmerret kundër forcave që po e sulmojnë atë përtej kufirit,” tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Sullivan shtoi se Ukraina gjithashtu mund të përdorë sistemet e mbrojtjes ajrore për të hapur zjarr ndaj avionëve rusë që fluturojnë në hapësirën ajrore ruse, nëse ata do të qëllonin në hapësirën ajrore të Ukrainës.

Linjat e frontit në Ukrainë mezi kanë lëvizur që nga fundi i vitit 2022, pavarësisht nga dhjetëra mijëra të vdekur nga të dyja anët në luftën e pamëshirshme të llogoreve, raporton Reuters.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re