Trupat e të paktën 87 personave që dyshohet se janë vrarë nga Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan janë gjetur në një varr masiv, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

 

OKB-ja tha më 13 korrik se njerëz që i përkasin grupit etnik masalit ishin në mesin e atyre që u varrosën në një varr masiv pranë El-Geneinas.

 

Luftimet e ashpra midis RSF-së dhe forcave të armatosura të Sudanit kanë vazhduar që nga prilli. Por, RSF-ja dhe forcat e tyre aleate kanë mohuar përfshirjen në luftimet e fundit në Darfurin perëndimor.

 

Mijëra kanë vdekur dhe miliona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si rezultat i luftimeve midis ushtrisë së rregullt të Sudanit, të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, dhe RSF-së, të udhëhequr nga ish-zëvendësi i al-Burhan, Mohamed Hamdan Daglo, i njohur si “Hemedti”.

 

OKB-ja tha se të paktën 37 trupa u varrosën në rajonin e Darfurit perëndimor më 20 qershor dhe 50 të tjerë në të njëjtin vend të nesërmen. Mes të varrosurve kishte edhe gra dhe fëmijë.

 

Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se ishte “i tmerruar nga trajtimi i pashpirt dhe pa respekt ndaj të vdekurve, së bashku me familjet dhe komunitetet e tyre”.

 

Ai bëri thirrje për një hetim mbi vdekjet e tyre dhe tha se RSF-ja ishte e detyruar t’i trajtonte të vdekurit “me dinjitet”.

 

Më parë këtë javë, RSF-ja hodhi poshtë pretendimet e Human Rights Watch se ata kishin vrarë 28 anëtarë të komunitetit masalit dhe kishin plagosur dhjetëra civilë përpara se ta shkatërronin qytetin Misterei në maj.

 

Një këshilltar i udhëheqjes së RSF-së, Mustafa Mohamed Ibrahim, i tha BBC-së se përplasjet në atë zonë ishin pjesë e një lufte civile të vazhdueshme midis grupeve arabe dhe masalite.

 

Muajin e kaluar, guvernatori i Darfurit perëndimor u vra menjëherë pasi akuzoi RSF-në për kryerjen e një gjenocidi kundër popullit masalit.

 

Populli masalit dikur jetonte nën një sulltanat në Darfurin perëndimor. Pjesa më e madhe e tij ishte inkuadruar në Sudan më shumë se 100 vjet më parë.

 

Ata janë kryesisht myslimanë dhe kanë akuzuar qeveritë e njëpasnjëshme sudaneze për promovimin e “arabizmit”, duke i anashkaluar ata për shërbimet bazë, si në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.

 

Ekzistojnë shqetësime se sulmet nga RSF-ja dhe policitë arabe kundër komunitetit masalit mund të sjellin situatë të ngjashme si në vrasjet e Darfurit të vitit 2003, kur 300.000 njerëz u vranë nga forcat Janjaweed, që më vonë u shndërruan në RSF.

 

OKB-ja tha se konflikti ka marrë një “dimension etnik”./REL/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re