Misioni i OKB-së për Mbështetjen e Marrëveshjes së Hodeidah (UNMHA) njoftoi se porti Hodeidah në Jemenin perëndimor u godit nga një raketë, e cila është një shkelje e Marrëveshjes së Stokholmit.

UNMHA bëri një deklaratë të shkurtër pasi forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite njoftuan se një varkë e ngarkuar me eksploziv ishte shkatërruar pranë ishullit Kamaran, përballë distriktit As-Salif të Hodeidah.

Në deklaratë thuhet se shënjestrimi i rajonit verior të portit Hodeidah me raketa është një shkelje e Marrëveshjes së Hodeidah (Stokholmit).

Më tej thuhet se gjendja është e mirë në Portin Hudeyde dhe se sulmi nuk shkaktoi dëmtim të infrastrukturës apo humbje të jetës ose lëndime.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë në Jemen, një ditë më parë njoftoi se 4 varka të ngarkuara me bomba që i përkisnin Huthive të mbështetur nga Irani u shkatërruan në brigjet e Hodeidah. Dje, gjithashtu u shkatërrua një varkë e mbushur me eksploziv në përgatitje për një sulm afër ishullit Kamaran në Hodeidah.

Marrëveshja e Stokholmit

Huthit e mbështetur nga Irani kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone në Jemen që nga shtatori 2014. Ndërsa që nga marsi i vitit 2015 forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Huthive.

Në vitin 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Stokholmit midis Huthive dhe qeverisë në Jemen në lidhje me shkëmbimin e të burgosurve, armëpushimin në Hudeidah, portet dhe situatën në Taiz.

Ndërkaq edhe pse kaluan 3 vite nuk u arrit të zbatohej plotësisht marrëveshja në terren, me përjashtim të shkëmbimit të të burgosurve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re