Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres planifikon të thërrasë një takim joformal mbi Qipron në prill që përfshin dy palët në ishull dhe tri vendet garantuese Turqinë, Greqinë dhe Britaninë e Madhe.

“Pas konsultimeve të kryera në emër të Sekretarit të Përgjithshëm nga zyrtarja e lartë e OKB-së, Jane Holl Lute, gjatë disa muajve të fundit, Sekretari i Përgjithshëm synon të thërrasë një takim joformal 5 plus 1 për çështjen e Qipros në Gjenevë të Zvicrës, nga 27 deri më 29 prill 2021”, tha dje zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric në një deklaratë.

“Qëllimi i takimit do të jetë për të përcaktuar nëse ekziston një bazë e përbashkët për palët që të negociohet një zgjidhje e qëndrueshme e problemit të Qipros brenda një horizonti të parashikueshëm”, tha ai.

Ishulli i Qipros është ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shtet i Qipros Greke u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe ndërhyrja e Ankarasë si një fuqi garantuese.

Mbi çështjen e ishullit janë bërë disa përpjekje për zgjidhje paqësore, përfshirë iniciativa e dështuar e vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë.

Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) u themelua në vitin 1983.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re