Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se është e gatshme të mbështesë Turqinë në zbatimin e Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut të njoftuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

Nga OKB-ja ka ardhur vlerësimi i parë lidhur me Planin e Veprimit për të Drejtat e Njeriut të cilën presidenti Erdoğan e njoftoi më 2 mars në një takim prezantues në rezidencën presidenciale.

Zëdhënësja e Zyrës së Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Liz Throssell në një prononcim për (AA) lidhur me planin e veprimit në fjalë tha se janë në dijeni për Planin e Veprimit për të Drejtat e Njeriut që u njoftua në fillim të këtij muaji nga qeveria. “Plani i Veprimit përfaqëson premtimin e rinovuar të qeverisë për të zhvilluar situatën e të drejtave të njeriut në Turqi”, tha ajo.

Duke bërë të ditur se Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk është përfshirë në procesin e përgatitjes së planit të veprimit, Throssell tha:

“Plani veprimit duhet të lexohet në përputhje me angazhimet dhe përgjegjësitë e Turqisë, sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe duhet të veprohet sipas kësaj. Për zbatimin e këtij plani dhe reformave të tjera gjyqësore në mënyrë efektive, ne përsërisim se jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje që Turqia të mbrojë standardet ndërkombëtare”.

Është përgatitur për t’u zbatuar në një periudhë 2 vjeçare

Në takimin prezantues për Planin e Veprimit të të Drejtave të Njeriut që u zhvillua në rezidencën presidenciale më 2 mars, presidenti Erdoğan tha se “Plani i Veprimit të të Drejtave të Njeriut është një shembull se vullneti ynë për ndryshim dhe reformë vazhdon dhe do të vazhdojë”.

Erdoğan theksoi se Plani i Veprimit të të Drejtave të Njeriut është përgatitur për t’u zbatuar në një periudhë 2 vjeçare.

Ai shprehu falënderime ndaj ministrit të Drejtësisë, Abdulhamit Gül dhe ekipit të tij të cilët dhanë formën përfundimtare për këtë dokument në fund të një procesi mjaft të gjatë që kërkoi shumë punë. Gjithashtu Erdoğan shprehu mirënjohjen për të gjitha institucionet që siguruan kontribute në planin e veprimit.

Ministri i Drejtësisë, Gül i cili ndau Planin e Veprimit të të Drejtave të Njeriut në tryezën editoriale të AA-së, tha se plani është një hap i reformës e cila vazhdon vazhdimisht dhe pa ndërprerje që nga dita e themelimit të Partisë AK e cila në Turqi është një parti reformiste.

Ndërkohë ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu lidhur me planin ka thënë se “Teksa zgjeron fushën e të drejtave dhe lirive themelore, plani do të sigurojë kontribut edhe në marrëdhëniet tona me institucionet e Bashkimit Evropian”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re