Grupet e armatosura në provincën Kivu e Jugut të Republikës Demokratike të Kongos rekrutuan më shumë se 470 fëmijë në radhët e tyre vitin e kaluar, raportoi të dielën Radio Okapi e OKB-së.
“Pesëdhjetë nga fëmijët kanë humbur jetën, përfshirë 12 vajza ndërsa 169 pësuan dhunë seksuale”, tha stacioni radiofonik, duke cituar një raport nga forca paqeruajtëse e OKB-së në Kongo (MONUSCO).
Asnjë fëmijë ushtar, megjithatë, nuk u regjistrua në radhët e Forcave të Armatosura të RD të Kongos (FARDC), thuhet më tej.
Ushtria e Kongos është hequr nga lista e zezë e OKB-së të ushtrive që rekrutojnë ose përdorin fëmijë.
MONUSCO vitin e kaluar tha se dy komanda të grupeve të armatosura ishin angazhuar për t’i dhënë fund rekrutimit dhe përdorimit të fëmijëve si dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të fëmijëve.
Sipas MONUSCO, ka pasur një përparim të konsiderueshëm në luftën kundër rekrutimit të fëmijëve ushtarë.
Megjithatë, ai tha se sfida e madhe mbetet riintegrimi socio-ekonomik i të gjithë fëmijëve që largohen nga grupet e armatosura për t’i bindur ata që të mos kthehen më.
Rekrutimi dhe përdorimi i fëmijëve nga forcat dhe grupet e armatosura përkufizohet si krim lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
