Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka cilësuar si shqetësues arrestimin e 16-vjeçares palestineze Ahed Tamimi nga ana e Izraelit dhe gjykimin e saj në Gjykatën Ushtarake.
“Duhet të kuptohet se është e nevojshme të respektohen të drejtat e njeriut. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga arrestimi i fëmijëve dhe ne i kemi ndarë këto shqetësime”, tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, në brifingun ditor për shtyp.
Ndryshe më 19 dhjetor, forcat izraelite arrestuan Ahed Tamimin në një bastisje gjatë natës në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëndimor. Nëna e saj u arrestua menjëherë pas saj. Një ditë më vonë, forcat izraelite arrestuan edhe kushërirën e saj.
Në vitin 2012, Bashkia Başakşehir e Stambollit i ndau asaj çmimin për kurajo Hanzala për kundërshtimin e ushtarëve izraelitë teksa këta po arrestonin vëllain e saj.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në atë kohë kryeministër, u takua personalisht me vajzën palestineze për të shprehur admirimin e tij për trimërinë e saj.
Babai, nëna dhe vëllezërit e Ahedit vazhdimisht janë arrestuar nga autoritetet izraelite për kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj okupimit të tokave palestineze nga Izraeli.
Në burgjet izraelite ndodhen afër shtatë mijë palestinezë, prej të cilëve rreth 300 janë fëmijë./AA/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re