Dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan më 29 maj për rritje të krizës ushqimore, përfshirë rrezikun e vdekjes nga uria në Sudan, shkaku i luftës dhe në Haiti, Burkina Faso dhe Mali për shkak të kufizimeve në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

 

Këto katër vende i bashkohen Afganistanit, Nigerisë, Somalisë, Sudanit të Jugut dhe Jemenit në listën e vendeve që po përballen me krizë të thellë ushqimore dhe rrezikojnë të shkojnë “drejt kushteve katastrofike”.

 

Raporti i Programit Botëror të Ushqimit dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë – të dyja agjenci të OKB-së – bën thirrje për ndihma urgjente në mënyrë që të shpëtohen shumë njerëz. Përveç nëntë vendeve që vlerësohen me nivelin më të lartë të rrezikut për krizë ushqimore, agjencitë thanë se gjithsej 22 vende janë identifikuar si vende që rrezikojnë të përballen me pasiguri akute ushqimore.

 

Pasiguria akute ushqimore përshkruan situatën kur jeta e një personi vihet në rrezik shkaku i pamundësisë së tyre për të konsumuar ushqim adekuat.

 

“Rrugët e zakonshme nuk janë më opsion në peizazhin e rrezikut të sotshëm nëse duam të arrijmë siguri globale ushqimore për të gjithë dhe të sigurohemi që askush të mos mbetet prapa”, tha Qu Dongyu, drejtor i përgjithshëm i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së.

 

Ai bëri thirrje për veprime të menjëhershme në sektorin bujqësor “për t’i larguar njerëzit nga pragu i urisë, për t’i ndihmuar ata ta rindërtojnë jetën e tyre dhe për të ofruar zgjidhje afatgjata për t’i adresuar shkaqet rrënjësore të pasigurisë ushqimore”.

 

Raporti përmendi zgjerimin potencial të luftës në Sudan, thellimin e krizave ekonomike në vendet e varfra dhe rritjen e shqetësimeve se El Nino mund të nxisë kushte ekstreme klimatike në vendet më të rrezikuara.

 

Raporti paralajmëron se një milion njerëz pritet të ikin nga Sudani, ndërsa shton se 2.5 milionë të tjerë brenda Sudanit do të përballen me pasiguri akute ushqimore gjatë muajve të ardhshëm pasi rrugët e furnizimit përmes Portit të Sudanit janë ndërprerë për shkaqe sigurie.

 

Drejtoresha ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain, paralajmëroi për pasoja “katastrofike” nëse nuk ndërmerren veprime për “t’i ndihmuar njerëzit të përshtaten me klimën në ndryshim e sipër dhe në fund të parandalojnë urinë”./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re