Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njoftuar se autokolona e ndihmës humanitare që pritej të dërgohej sot në Gutën Lindore, rajon që mbetet nën rrethimin e regjimit sirian të Bashar al-Asadit, nuk ka mundur të lëvizë drejt rajonit për shkak se nuk është siguruar leje për një qasje “të sigurtë dhe pa pengesa”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht thirrjes së djeshme nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, për dhënien e leje kalimit të autokolonës, edhe ditën e sotme për shkak të sulmeve të pandërprera të regjimit të Asadit nuk ka qenë e mundur që ndihmat humanitare emergjente të mbërrijnë në Gutën Lindore.

Në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) thuhet se, “OKB-ja dhe partnerët e saj sot nuk kanë mundur të shkojnë në Gutën Lindore. Por ata janë në gadishmëri të dërgojnë ndihmë për njerëzit në nevojë në rajonin Duma në Siri dhe në rajonet e rrethuara dhe të vështira për t’u arritur”.

Nga atje u kërkuar edhe një herë një leje kalimi për qasje “të sigurt dhe të papenguar” për autokolonat e OKB-së për të lëvizur drejt Gutës Lindore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re