Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se ka arritur në 1,5 milion numri i personave që janë zhvendosur në Gaza që nga 7 tetori.

Koordinatorja e çështjeve humanitare të OKB-së për Palestinën, Lynn Hastings, u lidh përmes video konferencës në sesionin e organizuar në New York nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

“Situata humanitare në Gaza është katastrofike” deklaroi Hastings, e cila tërhoqi vëmendjen se situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë me intensifikimin e sulmeve ajrore të Izraelit.

Numri i të vrarëve në Gaza që nga 7 tatori ka arritur në 9 mijë, njoftoi Hastings, duke thënë se janë plagosur rreth 23 mijë persona dhe se dy të tretat e këtyre përbëhen nga gra dhe fëmijë.

“Ka arritur në 1,5 milion numri i personave të zhvendosur në Gaza që nga 7 tetori e deri më tani”, tha Hastings.

“E vërteta është se aktualisht asnjë vend nuk është i sigurt në Gaza”, paralajmëroi Hastings, e cila informoi se që nga fillimi i konflikteve e deri tani, janë goditur 50 komplekse të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe se kanë humbur jetën 72 punonjës të UNRWA.

Ajo gjithashtu tha se mungesa e ushqimit dhe ujit ka filluar të jetë një problem shumë serioz.

Lidhur me financimin, Hastings nënvizoi se deri në fund të vitit nevojiten rreth 1,2 miliard dollarë për të plotësuar nevojat e popullit në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re