Më shumë se 3.7 milionë njerëz kanë ikur nga vendi që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës, njoftoi sot Agjencia e OKB-së për Refugjatët.

Karolina Lindholm Billing, përfaqësuese e UNHCR-së në Ukrainë dhe një tjetër zyrtar i OKB-së u thanë gazetarëve në një konferencë për media në Gjenevë se “çdo gjë ka ndryshuar” për Ukrainën gjatë muajit të kaluar.

Të paktën 1.081 civilë janë vrarë në Ukrainë ndërsa 1.707 janë plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së.

Billing tha se ajo kaloi një javë në Ukrainën lindore duke inauguruar dhe vizituar qendrat sociale në Avdiika dhe Popasna për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit vetëm dy javë para luftës.

“Këto qendra tani ka gjasa të jenë rrënoja, si shumë shtëpi të tjera private dhe struktura sociale që partnerët humanitarë dhe zhvillimorë kanë ndihmuar në krijimin dhe riparimin gjatë 8 viteve të fundit, duke punuar me autoritetet lokale dhe komunitetet në Ukrainën lindore”, tha Billing.

“Sot jemi përballur me realitetin e një krize masive humanitare që po rritet çdo sekondë”, tha ajo.

– Popullsia e zhvendosur

Për një muaj, më shumë se 10 milionë njerëz, një e katërta e popullsisë, janë detyruar të ikin për të shpëtuar jetën e tyre, duke lënë shtëpitë dhe gjërat e tyre.

Billing tha se mbi 6.5 milionë janë zhvendosur brenda Ukrainës dhe më shumë se 3.7 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi.

“Këto shifra po rriten çdo ditë. Rreth 13 milionë njerëz vlerësohet të jenë të bllokuar në zonat e prekura ose në pamundësi për t’u larguar për shkak të rreziqeve të shtuara të sigurisë, shkatërrimit të urave dhe rrugëve, si dhe mungesës së burimeve ose informacionit se ku mund të gjejnë siguri dhe strehim”, theksoi ajo.

Përpara se ajo të fliste në konferencën për media, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi tha: “Pa një përfundim të menjëhershëm të luftimeve, kjo vuajtje e papërshkrueshme dhe zhvendosje masive njerëzore vetëm sa do të përkeqësohet”.

Polonia ka pranuar më shumë se 2.2 milionë nga të ikurit nga Ukraina, Rumania pothuajse 573 mijë ndërsa më shumë se 376 mijë kanë kaluar nëpër Moldavi dhe rreth 264 mijë shkuan në Sllovaki.

Rusia ka pranuar gjithashtu më shumë se 271 mijë refugjatë.

“Objektet e kujdesit afatgjatë për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit në rajonet e Kievit, Kharkiv dhe Luhansk përballen me një situatë të tmerrshme humanitare”, tha Matilda Bogner, kreu i Misionit Monitorues të Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë.

Ajo foli me telefon nga Uzhhorod në perëndim të vendit.

Bogner tha se shkalla e viktimave civile dhe shkatërrimi i objekteve civile “sugjeron fuqishëm se janë shkelur parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe rregullit mbi masat paraprake të mundshme dhe ndalimin e sulmeve pa dallim”.

“Për t’iu dhënë dy shembuj: më 3 mars, 47 civilë u vranë kur dy shkolla dhe disa blloqe apartamentesh në Chernihiv u shkatërruan dhe të gjitha indikacionet janë se këto ishin rezultat i sulmeve ajrore ruse”, tha ajo.

Bogner tha se Spitali Nr.3 i Mariupolit u shkatërrua më 9 mars, duke shtuar se me shumë mundësi, ky ishte rezultat i një sulmi ajror rus.

Atje, 17 civilë, duke përfshirë fëmijë dhe gra shtatzëna u plagosën, tha ajo.

“Një grua e plagosur u ndihmua të lindte me prerje cezariane menjëherë pas sulmit, por as ajo dhe as foshnja nuk mbijetuan. Mjekët i operuan nën dritën e qiririt”, tha zyrtarja e OKB-së.

Ajo tha se zyra e të drejtave po shqyrton akuzat për bombardime pa dallim nga forcat e armatosura ukrainase në Donetsk dhe territore të tjera të kontrolluara nga “republikat” e vetëshpallura të cilat u njohën si të pavarura nga Rusia.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re