Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka mirëpritur armëpushimin e arritur në Gaza mes Izraelit dhe Hamas-it dhe u ka bërë thirrje palëve që të zbatojnë armëpushimin.

Guterres foli për gazetarët në qendrën e përgjithshme të OKB-së pasi Izraeli dhe Hamas-i arritën armëpushimin.

“Unë jam i kënaqur nga armëpushimi mes Gazës dhe Izraelit pas konflikteve që rezultuan me vdekje për 11 ditë. Palëve i bëj thirrje që të zbatojnë armëpushimin”, tha Guterres.

Duke përmendur përpjekjet e Egjiptit dhe Katarit për sigurimin e armëpushimit, Guterres kërkoi edhe nga komuniteti ndërkombëtar që të punojnë me OKB-në për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e popullit dhe institucioneve palestineze.

“Liderët izraelitë dhe palestinezë përtej rivendosjes së qetësisë kanë një përgjegjësi për rifillimin e një dialogu serioz”, tha Guterres, i cili Izraelit dhe Palestinës u bëri thirrje që “për zgjidhjen me dy shtete të rikthehen në negociata kuptimplota me aktorët ndërkombëtarë dhe rajonal, përfshirë edhe Kuartetin e Lindjes së Mesme të përbërë nga OKB-ja, SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe Rusia”.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarit të AA-së se çfarë hapash duhet të ndërmerren pas armëpushimit, Guterres tha se, “Janë shumë të rëndësishme, forcimi i armëpushimit, formimi i një programi të fuqishëm të ndihmës humanitare për rimëkëmbjen e Gazës, fillimi i një procesi paqësor dhe rifillimi i procesit të paqes për një zgjidhje me dy shtete”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re