GJENEVË – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) bën të ditur se regjimi i Bashar al-Asadit ka kryer krime lufte ndaj civilëve në Gutën Lindore, siç është përdorimi i armëve kimike, lënia e njerëzve në uri dhe evakuimet shëndetësore, raporton (AA).

Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur Hetimor i OKB-së për Sirinë ka publikuar raportin ku bëjnë pjesë hetimet e kryera pas pretendimeve për shkeljen e të drejtave të njeriut në Siri mes korrikut 2017 dhe janarit 2018.

Kryetari i komisionit Paulo Sergio Pinheiro, në konferencë për media të organizuar në Zyrën e OKB-së në Gjenevë në lidhje me raportin, tha se kanë pranuar një numër të madh të raporteve se regjimi në Siri ka përdorur gaz klorin në rajonet Guta Lindore dhe Idlib të cilat janë nën kontrollin e opozitarëve.

“Është shkelur e drejta ndërkombëtare”

Pinheiro tha se kanë filluar hetim si komision për të hetuar pretendimet në lidhje me atë se është përdorur gaz klorin në rajonet Sarakib të Idlibit dhe Duma të Gutës Lindore.

“Ato që ndodhin në Gutën Lindore nuk janë vetëm krizë humanitare sepse janë bllokuar ndihmat ndaj civilëve. Këto rrethime përfshijnë edhe krime ndërkombëtare si bombardimet e rastësishme dhe lënia e qëllimshme e njerëzve në uri”, tha Pinheiro duke theksuar shqetësime në lidhje me gjendjen humanitare në Gutën Lindore dhe Idlib dhe se është shkelur e drejta ndërkombëtare në rajon.

“Regjimi vazhdoi të përdorë armë kimike”

Ndërsa në raportin e publikuar të komisionit në lidhje me Sirinë, është bërë e ditur se regjimi i Asadit ka kryer krime lufte ndaj civilëve në Gutën Lindore, si përdorimi i armëve kimike, lënia e njerëzve në uri dhe evakuimet shëndetësore.

Në raport më tutje është theksuar se metoda për të lënë në uri njerëzit vitin e kaluar në Madaja nga ana e regjimit është gjithashtu krim lufte. “Forcat eregjimit kanë vazhduar të përdorin armë kimike ndaj grupeve të armatosura në Gutën Lindore. Komisioni ka dokumentuar se është përdorur armë kimike ndaj luftëtarëve të Ahrar ush-Sham në Harasta”, thuhet në raport.

Akuzë ndaj Rusisë

Në raportin e Komisionit gjithashtu është potencuar se si pasojë e bombardimit të një vendi të tregu në Atareb në lindje të Halepit, e cila është në mesin e zonave të deeskalimit, nga forcat ajrore të Rusisë vitin e kaluar më 13 nëntor, humbën jetën të paktën 84 civilë, ku është paralajmëruar se aktet e tilla janë në kuadër të krimeve të luftës.

Më tej theksohet se raporti i përgatitur nga Komisioni do të prezantohet në sesionin e 37-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut që është duke vazhduar në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re