Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) pranë Kombeve të Bashkuara, njoftoi se rreth 28.000 familje që nga fillimi i vitit 2020 janë zhvendosur për shkak të përleshjeve që vazhdojnë në Jemen.
Sipas raportit të publikuar nga IOM, 27.716 familje të përbërë prej 166.296 persona janë zhvendosur në periudhën prej fillimit të vitit deri në fund të muajit nëntor.
Më së shumti migrim ka ndodhur në Marib në lidhje, në Al-Hudaydah në perëndim dhe Taiz në jugperëndim.
Përveç përleshjeve që vazhdojnë, sipas raportit, zhvendosjet kanë ndodhur edhe për shkak të fatkeqësive natyrore si përmbytja.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare dje nëpërmjet rrjetit social Twitter, kishte njoftuar se që nga viti 2015 në Jemen kanë humbur jetën 233.000 persona nga përleshjet dhe shkaqet e lidhura.
Kriza humanitare në Jemen
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rikthente territoret e kapura nga rebelët.
Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në një nga krizat më të rënda humanitare në botë, pasi miliona njerëz mbeten të rrezikuar nga uria.
