E dërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara për Mianmar, Christine Schraner Burgener, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të KB të ndërmarrë veprime për të shmangur gjakderdhjen në atë vend të Azisë Juglindore.

Në një seancë të mbyllur të këshillit prej 15 anëtarësh, ajo tha se ushtria që mori pushtetin në Mianmar në 1 shkurt nuk ishte e aftë të qeveriste vendin dhe paralajmëroi se situata në terren do të përkeqësohej, raportoi Reuters, sipas komenteve botuar nga UN News.

“Merrni parasysh të gjitha mjetet në dispozicion për veprim kolektiv dhe bëni atë që është e drejtë, atë që meritojnë njerëzit e Mianmar, dhe parandaloni një katastrofë shumëdimensionale në zemër të Azisë,” tha Burgener.

Këshilli i Sigurimit duhet të konsiderojë “veprim potencialisht të rëndësishëm” për të përmbysur rrjedhën e ngjarjeve, sepse “gjakderdhja është e pashmangshme”, tha Burgener.

Të paktën 521 civilë u vranë në protestat anti-grusht shteti, 141 prej tyre të shtunën, dita më e përgjakshme e trazirave, sipas Shoqatës për Ndihmën ndaj të Burgosurve Politikë.

Luftimet janë ndezur gjithashtu midis ushtrisë dhe pakicave etnike kryengritëse në rajonet kufitare, ndërsa refugjatët po kërkojnë siguri në vendet fqinje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re