Ekspertja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Fionnuala Ni Aolain tha se sipas kritereve të së drejtës ndërkombëtare, qeveria amerikane i trajtoi të burgosurit në Guantanamo në një mënyrë mizore, çnjerëzore dhe degraduese.

Ajo i bëri thirrje Uashingtonit zyrtar që të kërkojë falje për trajtimin çnjerëzor dhe të dëmshpërblejë të lënduarit.

“Pas dy dekadash të kaluara në paraburgim, vuajtjet e atyre që qëndruan në Guantanamo janë të thella dhe vazhdojnë”, tha Aolain në një bisedë me gazetarët pas një vizite të ekspertëve të OKB-së në objektin e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, Kubë, raporton Reuters.

Ajo tha se qeveria amerikane duhet urgjentisht të japë një zgjidhje ligjore, të kërkojë falje dhe të garantojë se diçka e tillë nuk do të ndodhë më.

Një burg i krijuar pas 11 shtatorit

Burgu u krijua në vitin 2002 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Xhorxh Bush, për të strehuar të dyshuarit pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Në kulmin e saj, aty numëroheshin rreth 800 të burgosur, përpara se numri të fillonte të zvogëlohej.

Presidenti Joe Biden ka thënë se dëshiron të mbyllë objektin, por ende nuk ka paraqitur një plan se si ta bëjë këtë, ndërsa burgu ende strehon rreth 30 të burgosur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re